Banka Gjermane për Zhvillim (KfW) mbështet me 32 milionë euro investimet në sektorin energjetik shqiptar. Mbështetja vjen pas ratifikimit në Kuvend të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunim financiar 2016 për projektin “Programi i investimeve për shpërndarjen e energjisë elektrike I”.
Marrëveshja e bashkëpunimit mes dy vendeve, i hap rrugë lëvrimit të kredisë së butë nga KfW në vlerën e përgjithshme 32 milionë euro për investime të rëndësishme në sektorin elektroenergjetik, duke synuar përmirësimin e rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike, reduktimin e humbjeve të energjisë elektrike në rrjetin e shpërndarjes, si dhe rritjen e cilësisë dhe sigurisë së furnizimit me energji elektrike për klientët në Shqipëri.
Qëllimi i saj kryesor është realizimi i objektivave të parashikuara në “Planin e Rimëkëmbjes në Sektorin Energjetik”, ku humbjet totale parashikohet të ulen në nivelin 16% deri në vitin 2022.
Kjo kredi do të shërbejë si një investim i mirëfilltë për përmirësimin e rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike, në ndryshim nga e kaluara kur kreditë janë përdorur në pjesën më të madhe për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura.
Programi i investimeve për shpërndarjen e energjisë elektrike, i cili do të financohet nëpërmjet kësaj kredie, është përzgjedhur pas një vlerësimi shterues të listës së projekteve potenciale dhe komponentëve të tyre, të kryer nga ekspertët e KfW në bashkëpunim me ekspertë të OSHEE.
g.kosovari