Drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu në një aktivitet lidhur me zgjedhjet e 30 qershorit, tha se policia është një nga aktorët kryesor, për të siguruar një mjedis korrekt dhe të qetë, për të ushtruar këtë të drejtë nga të gjithë votuesit, por edhe për të ruajtur e siguruar procesin zgjedhor nga pikëpamja e rendit, e sigurisë dhe krimeve zgjedhore.
Ai deklaroi se Policia e Shtetit ka vepruar dhe vepron në bazë dhe për zbatim të ligjit, edhe në këtë rast ajo ka si mision të saj, ruajtjen e rendit publik dhe hetimin e veprave penale vetëm në bazë e për zbatim të detyrave të përcaktuara në Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë dhe udhëzimeve të KQZ-së.
“Edhe për këto zgjedhje pritshmëritë për veprimtarinë e Policisë së Shtetit do të jenë cilësisht në rritje dhe të orientuara drejt zbatimit korrekt të ligjit.
Këtij qëllimi i shërben dhe trajnimi i të gjithë punonjësve të Policisë së Shtetit, trajnim i cili fillon sot me drejtuesit qendrorë dhe vendorë të Policisë së Shtetit e do të vijojë më pas me të gjithë punonjësit që do të përfshihen në këtë proces”, u shpreh Veliu.
Ai garantoi se Policia e Shtetit edhe në këtë proces zgjedhor do të tregojë se është promotore e vlerave më të mira të një shoqërie demokratike.
Veliu iu uroi suksese efektivëve të cilët do të trajnohen në kuadër të zgjedhjeve lokale të fund qershorit.
/a.rada