Ministria e Financave dhe Ekonomisë synon të lehtësojë në vazhdimësi klimën e të bërit biznes në vend dhe të asistojë sipërmarrjet në zgjidhjen e problematikave që ato hasin gjatë ushtrimit të aktivitetit të tyre. Ky është dhe qëllimi i Programit të Përkujdesjes ndaj Investitorit që zbatohet nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve që prej vitit 2016, i përqendruar në tre sektorë kryesorë që janë identifikuar si prioritarë: teknologjia e informacionit, agropërpunimi dhe industria automotive.
Zv.Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Elton Haxhi vizitoi sot kompaninë SV MEGA shpk, e cila prodhon kryesisht timonë dhe akesorë të tjerë për industrinë automotive. Kjo kompani operon prej tre vjetësh në Tiranë dhe së fundmi është zgjeruar me një filial në Librazhd. Gjatë vizitës në këtë sipërmarje, Haxhi u njoh me aktivitetin e kompanisë dhe informoi mbi detajet e programit që zbatohet nga AIDA.
“Ky program do të shtrihet në 8 bashki kryesore dhe planifikohet që të kontaktohen dhe të asistohen rreth 60 biznese, që i përkasin tre sektorëve më sipër. Asistenca ka të bëjë me biznese të cilat kanë filluar të investojnë në Shqipëri dhe të idenfitikohen problematikat që ata hasin në mënyrë që të adresohen në institucionet që kanë përgjegjësinë për t’i zgjidhur këto problematika. Biznesi tek i cili ne jemi sot, SV MEGA, ka filluar aktivitetin tre vjet më parë. Këtu jemi në Tiranë. Ka dhe një njësi prodhimi në Librazhd, të cilën e ka hapur kohët e fundit, dhe ne po mundohemi nëpërmjet AIDA-s të asistojmë për zgjerimin e aktivitetit në Librazhd”, u shpreh Zv.Ministri Haxhi.
Gjithashtu, Zv.Ministri i Financave dhe Ekonomisë theksoi faktin se nga përjashtimi nga TVSH-ja i makinerive dhe pajisjeve është bërë një lehtësim prej 9 miliardë lekësh në 5 vitet e fundit për investimet në biznese të ngjashme. “Nga përllogaritjet që kemi bërë ndaj biznesit, në përgjithësi në rang kombëtar, për 5 vitet e fundit është bërë një lehtësim prej 9 miliardë lekësh vetëm nga përjashtimi nga TVSH-ja i makinerive dhe pajisjeve për investimet në biznese të ngjashme”, tha z. Haxhi.
Administratori i kompanisë SV MEGA shpk, z. Altin Kumara tha se kapaciteti prodhues dhe eksportues është rreth 60 mijë timonë në vit, kryesisht për varka dhe mjete lundruese, ndërkohë që në filialin në qytetin e Librazhdit prodhohen edhe timona për traktorë, makineri transporti, marsha, etj. Kompania eksporton në Itali dhe produktet e prodhuara më pas tregtohen në gjithë globin. Pranë kësaj sipërmarrjeje janë punësuar mbi 100 persona, një pjesë e të cilëve nëpërmjet ndërmjetësimit të zyrave të Punës, ndërkohë që administratori tha se kompania planifikon zgjerimin e mëtejshëm në të dy filialet e saj.
/a.meta