Pas masakrës së Christchurch, banorët e shokuar po kërkonin imazhe të shpresës.
Ata e gjetën atë në një fotografi të kryeministres Jacinda Ardern, të veshur me një shami të zezë dhe të mbuluar me lule të krijuara nga reflektimi i xhamit.
Ndërkohë kryeministrja ka njoftuar se do ta krijojë një komision të nivelit më të lartë për t’i hetuar rrethanat e masakrës së 50 personave në xhamitë e qytetit Christchurch.
Ardern tha se krijimi i komisionit mbretëror të hetimeve, i cili paraqet shkallën më të lartë për çështjen e zbulimit të krimeve në Zelandë të Re, është mënyra e duhur për t’i trajtuar rastet me rëndësi të madhe për popullin.
Kabineti qeveritar ishte pajtuar paraprakisht që të zhvillohen hetime për këtë rast, por nuk ishte vendosur për llojin dhe shkallën e tyre.
Komisioni mbretëror i hetimeve e kryen punën në mënyrë të pavarur nga qeveria dhe udhëhiqet nga një gjykatës i Gjykatës së Lartë. Ky organ ka të drejtë t’i detyrojë dëshmitarët për të dhënë dëshmi dhe t’i detyrojë organizatat e ndryshme që të dorëzojnë dokumente që kërkohen nga komisioni. Sidoqoftë, detyra e këtij komisioni është që të japë rekomandime, të cilat më pas mund të zbatohen ose të refuzohen nga qeveria dhe gjykatat, shkruan “The Guardian”.
Hetuesit e komisionit mbretëror do t’i hetojnë udhëtimet e personit të dyshuar jashtë vendit, veprimtarinë e tij në Zelandë të Re, përdorimin e rrjeteve sociale dhe lidhjet që kishte me njerëzit tjerë.
Në hetim do të marrin pjesë edhe institucione tjera, si Shërbimi për Inteligjencë të Sigurisë, Byroja Qeveritare për Siguri të Komunikimit, policia, doganat dhe organet për imigracion.
g.kosovari