Kombëtarja jonë e futbollit ka mbrritur këtë të diel në principatën e vogël të Andorrës, aty ku do të përballet me përfaqësuesen vendase ditën e nesërme, në ndeshjen e dytë kualifikuese të Euro 2020. Andorra nuk është një kundërshtar i panjohur për përfaqësuesen tonë, pasi me të jemi përballur dhe herë të tjera.
Më 17 prill të vitit 2002, përfaqësuesja jonë është mundur në principatën e vogël të Europës, me rezultatin 2-0, në ndeshje miqësore. Më 2 qershor të vitit 2010, Shqipëria e pret Andorrën në Tiranë, në një tjetër përballje miqësore, e cila ka përfunduar me rezultatin 1-0 për kombëtaren tonë. Telesport sjellë për të gjithë lexuesit disa kuriozitete rreth principatës së Andorrës dhe përfaqësueses së saj të futbollit.
Andorra është një shtet i vogël me sipërfaqe prej 450 km2, ndërsa popullsia e saj është gati 85 mijë banorë. Kryeqyteti i Andorrës, është Andorra la Vella, që ndodhet në lartësi mbidetare rreth 1000 metër mbi nivelin e detit.
Andorra është një nga pesë federatat më të vogla anëtare të FIFA-s dhe UEFA-s, që merr pjesë në të gjithë kompeticionet e organizuara nga dy organizmat më të lart të futbollit botëror dhe atij evropian.
Aktualisht kombëtarja e Andorrës renditet në vendin e 132 në renditjen e kombëtareve të FIFA-s. Humbja më e thellë për Andorran në shtëpi është ajo me Estoninë, në 13 nëntor 1996 që ka përfunduar me rezultatin 1-6 për skuadrën estoneze, ndërsa humbjet më të thella në transfertë janë ndaj Çekisë me rezultatin 8-1, Kroacisë me rezultatin 7-0 etj.
Estado Nacional është stadiumi ku do të zhvillohet ndeshja e ditës së nesërme mes vendasve dhe kombëtares tonë. Ky impiant ka vetëm tribunën kryesore dhe dy tribuna anësore, me kapacitet maksimal prej 3306 vendesh. Fusha është me përmasa më të vogla se ato të zakonshmet, ndërsa tapeti është me bar artificial.
(telesport)