Përparim Merdani është kryefamiljari i shtëpisë së grabitur me dhunë dy ditë më parë në fshatin Greshicë të Mallakstrës.
Kryefamiljari ka rrëfyer për mediat se në momentin e ngjarjes ka qenë bashkë me nënën dhe mbesën në banesë.
“Mua dhe plakën na zuri gjumi. Ulëriti mbesa. Na drejtuan thikën në kokë. Më kërcënuan. Më qëlluan, më goditën te hunda, më iku gjaku, më është enjtur dhe syri” ka rrëfyer ai.
Sipas Merdanit, kanë qenë tre persona me maska të cilët kishin me vetë një shkop gome, një kriketë të madhe që hap makinat dhe tre thika në dorë.
“Vajtën tek dhoma e mbyllur. Kërkuan çelësin. Ishin 1 milion e 700 mijë lekë. Ja dhamë çelësin. Shqeu derën mori paratë” tregon më tej ai.
Fakti se grabitësit kanë qenë të maskuar ia ka bërë të pamundur identifikimin Përparimit.
Por duket se grabitja ka qenë e mirëmenduar prej tyre.
“Kanë dëgjuar që kam pasur lekë pasi pak kohë më parë erdhi vëllai nga Anglia dhe la pak lekë për nënën e sëmurë” tha Përparim Merdani.
Policia njoftoi mëngjesin e sotëm arrestimin e dy të rinjve dhe shpalljen në kërkim të një tjetri, të dyshuar si autorë të grabitjes.
Bëhet fjalë për shtetasit Klejdi Saliaj 21 vjeç dhe Arber Muçaj 22 vjeç, të dy banues në Panahor dhe të dënuar më parë për vjedhje me armë në Greqi.
Gjithashtu u shpall në kërkim dhe po punohet për kapjen e bashkëpunëtorit tjetër, shtetasit M.H.
g.kosovari