Ekskluzive / Libri i Kaloçit, “Shkrimtarët dhe artistët nën diktatin komunist”, Publikohet raport-informacioni i 17 marsit të vitit 1973 për Enverin, Mehmetin dhe Hysniun lidhur me Estradën e Tiranës, i hartuar nga funksionari i lartë i Komitetit Qëndror, Enver Halili, i cili informon rreth atyre që ndodhnin dhe thuheshin aty ku mes të tjerash shkruhet: “Regjizori Bujar Kapexhiu ka arritur deri aty sa në një mbledhje t’ju bëjë thirrje të hapur artistëve dhe pjestarëve të Estradës që të shikojnë televizionin italian dhe të mësojnë prej tij nga mënyra e vënies në skenë, forma dhe interpretimi”
Nga Dashnor Kaloçi, TemA
Dokumenti që po publikojmë në këto kapitull të librit i përket datës 17 mars të vitit 1973 ku funksionari i lartë i Komitetit Qëndror të PPSH-së Enver Halili, informon Enver Hoxhën mbi një mbledhje që është zhvilluar me kolektivin e Estradës Profesioniste të Tiranës dhe organizatën bazë të partisë së atij institucioni. Në atë mbledhje e cila zhvillohej po në të njejtën kohë me mbledhjen e mbajtur nga Enver Hoxha në Presidiumin e Kuvendit Popullor, së cilës i kishte paraprirë fjala e tij në Pleniumin e III-të të Komitetit Qëndror të PPSH-së, si bosht kryesor, të dyja kishin të njetën temë:
“Shfaqjet e huaja dhe ndikimi i tyre në art, kulturë, letërsi dhe gjithë jetën e vëndit”. Dhe gjithashtu të dyja këto mbledhje mbaheshin vetëm pak kohë pasi kishte përfunduar Festivali i 11 Kombëtar i Këngës në Radio Televizion, i cili u bë shkas në një farë mënyre, apo mundet me shumë gjasa që të kishte qenë edhe preteksti që u gjet për goditjet që iu dhanë shumë shkrimtarëve dhe artistëve, me në krye të ashtuquajturin: Grupi armiqësor në Art e Kulturë me në krye Fadil Paçramin e Todi Lubonjën. Ashtu siç do të shohim në raport-informacionin në fjalë, i deleguari i Komitetit Qëndror të PPSH-së, Enver Halili (askohe instruktor ne K.Q. deputet në Kuvendin Popullor, sekretar i parë në disa rrethe dhe vite më pas ministër dhe anëtar i Byrosë Politike), ia ka përshkruar me detaje gjithçka ndodhte në kolektivin e Estradës Profesioniste të Tiranës dhe organizatën bazë të partisë së atij institucioni. Madje jo vetëm aq, pra në atë çka ndodhte në punën e tyre, por informacioni shtrihej deri edhe në jetën personale e familjare të aktorëve dhe artistëve të atij institucioni.
Ajo që vihet re aty, është se kritikat e ashpëra nuk kursehen as ndaj Vaçe Zelës, e konsideruar që asokohe si një nga legjendat e këngës shqiptare, apo regjizorit të njohur, Bujar Kapexhiu, ndaj të cilit ishte bërë objekt sulmesh, edhe prej faktit se kishte drejtuar si konferencier Festivalin e 11 të Këngës në Radio-Televizion, së bashku me partneren e tij, Edi Luarasi. Dhe të gjitha këto të trajtuara me detaje të hollësishme në raport-informacionin në fjalë të të deleguarit të komitetit Qëndror, i drejtoheshin vetë Enver Hoxhës, gjë e cila duket edhe nga firma që ai ka vënë në dokumentin përkatës, por ndryshe nga praktika e zakontë, aty ai nuk ka vënë ndonjë shënim përveç nënshkrimit të tij.
Dhe siç ishin rregullat e punës me të cilat funksiononte aparati i Komitetit Qëndror, përveç Enver Hoxhës, ai raport-informacion, është parë edhe nga Hysni Kapo, Mehmet Shehu dhe Petro Dode, të cilët gjithashtu kanë vënë nënshkrimet përkatëse mbi atë dokument. Ashtu si edhe pjesa më e madhe e dokumenteve që janë pjesë e librit që cituam më lart, edhe ky publikohet i plotë dhe pa asnjë ndryshim, ashtu siç ndodhet në dosjen përkatëse në Arkivin Qëndror të Shtetit, Fondi 14, Aparati, Komiteti Qëndror i PPSH. (Nëntitujt e këtij shkrimi janë redaksional dhe janë marrë në mënyrë integrale në dokumenti në fjalë)
(vijon nga numri i kaluar)
INFORMACIONI
“REGJIZORI KAPEXHIU BEN THIRRJE TE HAPUR TE NDIQET TELEVIZIONI ITALIAN”
-Nga Estrada ka pasur tendenca, të cilat edhe janë realizuar për të kopjuar nga televizori Italian? Kështu, p.sh. në çfaqjen e “Katërmijë duartrokitje”, që është vënë në skenë nga regjizori Bujar Kapexhiu, duken imitime dhe kopjime, që nga titulli e deri te numra të veçantë, si takimi me sportistë (boksjer, futbollistë dhe basketbollistë), me të cilët bëhet humor pa asnjë përmbajtje, etjera. Imitime dhe kopjime ka pasur edhe në disa numra të çfaqjeve të tjera. Me të drejtë u kritikua Bujar Kapexhiu, i cili është i prirë për të kopjuar dhe e quan për diçka normale dhe të nevojshme sa që ka arritur në një mbledhje të kolektivit të bëj thirrje aktorëve dhe pjestarëve të tjerë të Estradës, të mësojnë nga televizori italian, nga mënyra e vënies në skenë nga forma dhe interpretimi.
-Në disa raste dekori i çfaqjeve si në Estradë e veçanërisht në Cirk, ka pasur nuanca të huajtura. Shpesh herë nuk janë përshtat përmbajtjes së çfaqjes, piktura dhe karikatura pa kuptim, bile në ndonjë rast s’është marrë veshtë se çfarë donte me paraqit autori. Nga regjia dhe vetë aktorët janë përdor me rsate veshje ekstravagante mini dhe maksi funde, pantallona kauboj dhe të tjera. Disa aktorë në kundërshtim me rregullat, kanë transormuar edhe rekuzizitën me qëllim që t’i përshtatje modës së dëshiruar nga ata.
-Në disa raste, sidomos këto dy tre vjetët e fundit, për t’ju shmangur vështirësive, punës intensive, Estrada e sidomos Cirku, kanë rënë pas temave të lehta me përmbajtje të cekët ose nga njëherë pa përmabjtje. Edhe vështirësitë që hasen në drejtim të sigurimit të materjaleve nga krijuesit, Estrada e në mënyrë të veçantë regjizorët, u kritikuan nga aktorët se shpesh herë kanë rënë në mikrotema pa asnjë trajtim në gjerësi e thellësi të problemeve të mprefta të të gjitha fushave që preokupojnë partinë dhe shoqërinë.
“AKTORET E ESTRADES IMITOJNE ME XHESTE ARTISTET ITALIAN”
-Disa aktor të estradës duke dashtë me kopjuar ndonjë artist italian në interpretimet e tyre në role të veçanta kanë bërë shtrembërime, xheste, dhe lëvizje jashtë përmbajtjes së tekstit, ky veprim ka bërë që të injorohet përmbajtja duke tërheqë
vëmëndjen e spektatorëve me xhestet dhe lëvizjet pa kuptim. Në disktutimet e tyre shoqet dhe shokët e estradës kritikuan edhe mjaft çfaqje e ndikime të ideologjisë borgjeze e revizioniste në mënyrën e jetesës për sjelljen e aktorëve dhe pjestarëve të tjerë të kolektivit në familje dhe shoqëri. Disa aktor dhe orkestrant kanë çthurje në jetën familjare, dy shoqe janë ndarë nga burrat për fajin e tyre, 2-3 të tjerë kanë grindje në familje të cilat rrezikojnë bashkëjetesën familjare. Tek tuk ka edhe çfaqje rrugaçërie sidomos kur trupa e estradës është në turne në rrethet e tjera, këto akte arrijnë deri aty sa të zihen me njerëz të jashtëm, të dëmtojnë pasurinë socialiste me dashje e tjera. Edhe brënda kolektivit ka, nga disa zënie e mëri. Brënda në kolektivë disa herë janë konstatuar vjedhje të pasurisë socialiste si rroba, poçe elektrike etjera, ashtu edhe para të njëri tjetrit.
Shokët kur folën u munduan dhe deri në një farë mase i pasqyruan edhe shkaqet e këtyre të metave, të depërtimit të ndikimeve të ideologjisë së huaj në gjirin e kolektivit të tyre.
SKENDER PLASARI: “NE NUK THELLOHEMI TE MESIMET E SHOKUT ENVER”
Me gjithë që organizata bazë ka bërë përpjekje me u marrë me këto probleme, ajo shpesh herë ka parë në sipërfaqje çfaqjet dhe fenomenet negative nuk ka bërë gjithnjë analizë të thellë të prejardhjes së tyre. “Puna edukative – tha në diskutimin e saj aktorja Hajrie Sojli – ka lënë për të dëshiruar në kolektivin tonë, pak nga mungesa e serjozitetit të organizatës bazë dhe ish sekretarit të saj, pak nga mungesa e predispozicionit tonë për të frentuentuar e pregatitë mirë formën e edukimit, kanë bërë që ato mos të lozin rrolin që i takon”. Kritika për mungesë në pregatitjen dhe zhvillimin e formave të edukimit pati edhe nga disa komunistë e punonjës të tjerë. Shkrimtari dhe njiherit aktori Skënder Plasari tha “Ne punonjësit e artit nuk thellohemi sa duhet në mësimet e partisë e të shokut Enver, nuk i njohim në thellësinë e tyre problemet e mprefta me karakter politik, ideologjik, ekonomik e tjera, si rrjedhim edhe kur i trajtojmë ato në skenën tonë, i trajtojmë më shumë në sipërfaqje. Pak lexojnë pjestarët e kolektivit tonë duke filluar që nga regjizori e deri tek aktori më i ri”. Aktori Enver Bukri tha: “Ne interpretojmë në skenë gjithfarë rolesh me tipe të ndryshme pozitive e negative, por rrallë për të mos thënë hiç, ne
studjojmë materjalet e partisë në përshtatje me rolin që do lozim e aq më pak për tipin që do paraqesim, mjaftohemi me atë që dimë nga praktika. Kjo na ka bërë që shpesh herë mos t’ia arrijmë qëllimit në tërësi”. Për këto dobësi u kritikua edhe metoda e punës së regjizorit Bujar Kapexhiu i cili nuk e lot fare këtë rol, e shikon vehten thjesht si teknik e jo si edukator, si psikolog, bile në diskutimin e tij ai në mes tjerave e quajti vehten thjeshtë punë dhënës.
Vënia e interesit personal mbi atë të përgjithshmin ka bërë që të biem në ndikime të huaja tha një diskutant. Shpesh herë disa aktor dhe krijues, të inkurajuar në ndonjë rast edhe nga drejtuesit e institucionit, duke vënë në plan të parë interesin personal, nga ana morale dhe materiale (suksesin duartrokitjet dhe të ardhurat) kanë rëndë pas formës e paraqitjes edhe këto jo sipas estetikës tonë, dhe kanë lenë mënjanë esencialen përmbajtjen e tjera.
“STAFI ESTRADES ME 8-VJECARE, VETEM NJE ME TE MESME DHE 2 ME TE LARTE”
Na duket se me të drejtë ngritën shokët që një nga shkaqet që ka influencuar në dobësit dhe të metat e sipërpërmëndura është edhe niveli i ulët arësimorë dhe ideo-estetik i trupës. Nga 20 aktor 5 janë me fillore, 12 me 8 vjeçare 1 me të mesme dhe 2 me të lartë. 10 vjetët e fundit nuk është emëruar asnjë aktor me shkallë profesionale qoftë edhe me të mesme. Për problemin e kuadrit u bënë disa kritika në adresë të komitetit partisë dhe atij ekzekutiv të cilët nuk kanë treguar interesimin e duhur për këtë institucion, ka mbi 3 vjet që estrada është pa derigjent dhe akoma ska perspektivë për tu emëruar.
Në përgjithësi, thanë në diskutimet e tyre shokët, interesimi nga ana e organeve të partisë e të pushtetit në rreth ka munguar. Shoku Fadil Paçrami nuk e ka shikuar estradën njësoj si Teatrin e Operas dhe atë Popullor, edhe kur kishim 20 vjetorin erdhi në ceremoninë e hapjes dhe nuk qëndroj në çfaqje. Në përgjithësi u bënë kritika për shokët drejtues të partisë e të pushtetit në rreth, duke përjashtuar shoqen Katina Starja, që pak vinë në çfaqjet e estradës si rrjedhim edhe ndihma e tyre për mbarëvajtjen e punës ka qënë shumë e pakët. Ato pretendojnë që këto organe më afër duhet ti qëndrojnë estradës t’i hapin horizont me këshillat, vrejtjet e propozimet e tyre, edhe për edukimin ideopolitik, pa mënjanuar punën që duhet të bëjë organizata bazë, ndoshta ato duhet të ndihmojnë më afër këtë institucion.
Pothuajse të gjithë ngritën si problem tepër serjoz mungesën e krijimtarisë për estradat. Veç tjerave edhe disa shkrimtar, humorist që deri vonë shkruanin për estradat janë larguar. Atje u shprehën se janë disa shkaqe: mendimi tek shkrimtarët se këto janë gjëra të vogla e nuk të japin titull, njohje, e tjera, jo gjtihnjë ka aktor të përshtatshëm për ti interpretuar dhe pjesët janë në “shej” për tu diskutuar e kritikuar, shpërblimi material është i vogël në krahasim me krijimtarinë tjetër etjera.
Këto ishin disa probleme që dolën dhe u diskutuan në organizatën bazë dhe kolektivin e estradës profesioniste. Një ndihmë të mirë për përgatitjen dhe zhvillimin e këtyre mbledhjeve dhe i deleguari komitetit partisë rajonit Nr. 3 shoku Fiqiri Vogli.
Instruktori i K.Q.
Enver Halili