Britanisë së Madhe i është propozuar dalja nga Bashkimi Europian më datën 12 prill në rastin më negativ, dhe më 22 maj të këtij viti nëse parlamenti aprovon marrëveshjen për shkëputjen nga unioni. Liderët e vendeve të BE thanë të enjten se me këto propozime nuk mbetet asgjë tjetër për t’u negociuar me qeverinë britanike. Kryeministrja angleze, Tereza Mej, thotë se deputetët britanikë tashmë u duhet të marrin një vendim të qartë.
Këshilli Europian i ka lënë të hapura mundësitë për shtyrjen e largimit të Britanisë së Madhe nga blloku europian përtej datës 29 mars.
Pas negociatave intensive me liderë të vendeve anëtare dhe kryeministres britanike, Tereza Mej, presidenti i Këshillit Donald Tusk dhe ai i Komisionit Europian, Zhan-Klod Junker, dolën të enjten me dy variante se si mund të realizohet zgjatja e Brexit.
“Në skenarin e parë, Parlamenti anglez duhet të kalojë akordin aktual të dakordësuar mes Bashkimit Europian dhe qeverisë britanike, çka do të lejonte shtyrjen e procesit të shkëputjes deri më 22 maj. Ndërsa në skenarin e dytë, nëse marrëveshja jonë refuzohet përsëri nga deputetët, Këshilli Europian pranon që data e Brexit të jetë 12 prilli,”-tha Tusk.
Presidenti Junker tha se me propozimet e fundit, vendet e Bashkimit Europian kanë bërë mjaft lëshime ndaj palës britanike, dhe nuk ka mbetur asgjë tjetër për t’u negociuar. Me deklaratën e tyre u solidarizua edhe kryeministrja Mej, e cila u bëri thirrje kolegëve të saj në parlament të bëjnë zgjedhjen e duhur.
“Nëse marrëveshja për Brexit nuk kalon as javën tjetër, do na duhet të trokasim sërish në dyert e Bashkimit Europian, dhe me gjasë një shtyrje e mëtejshme e procesit të daljes do të nënkuptonte pjesëmarrjen në zgjedhjet parlamentare në BE. Mendoj se qytetarët britanikë në vitin 2016 e bënë zgjedhjen e tyre që kjo mos të ndodhte përsëri,”-tha May.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve rreth një peticioni për anulimin e Brexit që deri tani ka marrë mbi dy milionë firma, kryetarja e qeverisë britanike tha se ky veprim do të konsiderohej një tradhti ndaj shumicës së popullit që votoi në referendum tri vite më parë.