Bashkia Konispol është e para bashki që mbyll procesin e legalizimit.
“Sot gjendemi në Konispol për të dorëzuar grupin e fundit të lejeve të legalizimit për gjithë territorin e kësaj Bashkie”, tha drejtori i Përgjithshëm I ALUIZNI-t, Artan Lame në një aktivitet të zhvilluar në prani të deputetit të zonës Alket Hyseni, kryetarit të bashkisë, Shuip Beqiri dhe drejtorit të ALUIZNI-t, Sarandë Eleron Gjoni.
Me përmbylljen e këtij procesi, mbeten pa u legalizuar ende edhe rreth 40 banesa të pabanuara, ose që pronarët e tyre janë në emigracion.
“Gjejmë rastin t’ju bëjmë thirrje atyre banorëve që, në rastin e parë që do të kthehen në atdhe, të paraqiten pranë zyrave tona për të ndjekur procedurat e mbetura”, vijoi mes të tjerash drejtori Lame.
Me legalizimet e sotme, përmbyllet kapitulli i legalizimeve në këtë Bashki, për të hapur më tej me Agjensinë e re të Kadastrës, reformën pasuese, atë të regjistrimit të tokës në fshat.
Bashkia Konispol mbulohet nga Drejtoria Rajonale e ALUIZNI-t Sarandë. Ajo përbëhet nga Njësitë Administrative Konispol, Xarrë dhe Markat. Kemi të bëjmë me një zonë me drejtim të theksuar agro-bujqësor.
Në këtë zonë ka patur gjithsej 660 vetëdeklarime. Legalizime të bëra për periudhën 2006-2013: 8 leje në Xarrë dhe 0 leje në Konispol. Ndërsa legalizime të bëra për periudhën 2014-2019: 606 legalizime.
/g.kosovari