Katër studente ekselente iu bashkuan Administratës Publike pas aplikimit në platformën “Punetembare.al”, në kuadër të Paktit për Universitetin. Dy prej tyre janë punësuar në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe dy të tjera në Institutin e Integrimit të Përndjekurve Politikë.
Studentet u punësuan pasi rezultuan fituese për shkak të rezultateve të larta në studime me mesatare mbi notën 9. Ato u shprehën entuziaste për këtë eksperiencë të re në administratë, ku pritet që t’i sjellin administratës energji dhe ide të reja.
Studentet e punësuara pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale kanë përfunduar studimet e larta për Psikologji Klinike dhe Fakultetin e Drejtësisë, ku 2 prej tyre janë punësuar si specialiste në Shërbimin Social Shtetëror dhe në Sektorin e Ankesave Administrative dhe Gjyqësore.
Dy studentet e tjera të punësuara ne Institutin e Integrimit të Përndjekurve Politik kishin përfunduar studimet për drejtësi.
Gjatë një interviste për Agjencinë Telegrafike Shqiptare studentet u shprehën mjaft të kënaqura dhe falënderuese mbi këtë nismë, pasi ato si brezi i ri duke ndërthurur idetë dhe energjinë e tyre me eksperiencën e brezit të vjetër, do ta bëjnë Administratën Publike më efikase. Ato gjithashtu u shprehën për pozicionet e tyre kryesisht si specialiste se kishin bërë vetë zgjedhjen e këtyre pozicioneve pasi i shihnin si mundësi të mira për të dhënë kontributin e tyre.
Studentet ekselente për vendin e tyre të punës kishin aplikuar në platformën “punetembare.al” dhe ishin kontaktuar nga stafi për të nisur punën në bazë të dokumentacionit përkatës dhe të mesatares së tyre.
Punësimi i studentëve ekselentë në Administratën Publike, është nismë tashmë e zbatuar konkretisht nga ana e Qeverisë shqiptare, pjesë e Paktit për Universitetin.
/a.rada