Drafti i shumicës parlamentare dhe ekspertëve të huaj për reformën në drejtësi, i cili i është drejtuar Komisionit të Venecias për mendim parashikon ngritjen e disa organeve të reja për sistemin e drejtësisë.
Të gjitha emërimet në drejtësi do të kalojnë nëpërmjet Këshillit të Emërimeve.Ky organ i cili me ligj u ngrit nga maxhoranca disa muaj më parë vetëm për Gjykatën e Lartë, tashmë futet në Kushtetutë dhe do të filtrojë çdo kandidaturë për sistemin e drejtësisë.
“Këshilli i Emërimeve në Drejtësi është përgjegjës për të verifikuar përmbushjen e kushteve ligjore dhe të kritereve profesionale e morale të kandidatëve jo gjyqtarë për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor, kandidatëve jo prokurorë për anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, të kandidatit për Prokuror të Përgjithshëm si dhe kandidatëve për anëtarë të gjykatës Kushtetuese”.
Drafti i shumicës parashikon ngritjen e një strukture të posaçme antikorrupsion për drejtësinë e varur nga Prokuroria e Përgjithshme. Pjesë e kësaj strukture do të jetë edhe Byroja Kombëtare e Hetimit.
“Struktura e Posaçme Anti-korrupsion e prokurorisë është përgjegjëse për ndjekjen penale dhe përfaqësimin e akuzës kundër gjyqtarëve, prokurorëve dhe zyrtarëve të lartë të përcaktuar me ligj pranë Gjykatës së shkallës së parë dhe Gjykatë së Apelit Anti-korrupsion”.
Gjithashtu ekspertët e nivelit të lartë për reformën në drejtësi kërkojnë ngritjen e një organi i cili do të monitorojë dhe do të kontrollojë punën e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe punën e Këshillit të Prokurorisë, raporton Ora News.
Tribunali Disiplinor do të shqyrtojë edhe ankimimet disiplinore ndaj anëtarë të organeve kushtetuese në sistemin e drejtësisë.
“Tribunali Disiplinor i Drejtësisë shqyrton rastet e shkeljeve disiplinore dhe vendos masa disiplinore për anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe për Prokurorin e Përgjithshëm, anëtarët e Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë,anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe punonjësve të këtij Komisioni si dhe shqyrton ankimet kundër masave disiplinore të vendosura ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë”.
Propozimet për ndryshimet kushtetuese ndërhyjnë në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, i cili nga organ këshillues kthehet në organ vendimarrës.
Këshilli emëron, vlerëson, ngre në detyrë dhe transferon prokurorët si dhe i propozon Kuvendit kandidatët për Prokuror të Përgjithshëm. Dita/