Ndërkohë që pas djegies së mandateve bojkotimi i zgjedhjeve vendore të 30 Qershorit është një tjetër lëvizje ekstreme e opozitës së udhëhequr nga PD, një parti brenda këtij blloku guxon të mos e përfill ultimatumin e Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit.
Fjala është për partinë për Liri, Demokraci dhe Etikë (LDE), që drejtohet nga petagogu Arian Galdini. Në dhënie të një përgjigjeje për pyetjen:
A do të hyjë në zgjedhje LDE edhe nëse Koalicioni Opozitar vendos të bojkotojë zgjedhjet lokale?, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Galdini shkruan:
“Miq,
Po. Padiskutim që po.
LDE është parti që i qëndron plotësisht udhës, korsisë, parimeve dhe vlerave për e prej të cilave është krijuar dhe ekziston. A vijojmë ne të jemi ende Parti anëtare e Koalicionit Opozitar të drejtuar nga PD?
Për sa na takon neve, po.
Por nuk kemi asnjë detyrim që buron nga anëtarësimi ynë në Koalicionin Opozitar, për të zbatuar vendime të mara nga parti të tjera Aleate, pa na ftuar në tryezën e Koalicionit dhe pa na dhënë të drejtën dhe mundësinë e shprehjes së votës dhe opinionit tonë në atë Tryezë.
Vendimet e mara pa ne, janë vendime që si rregull zbatohen vetëm nga ato parti që i marin këto vendime.
Psh, vendimet për djegien e mandateve dhe strategjinë e opozitës prej 16 shkurtit 2019 e këndej, ne si LDE as i kemi pranuar e as gjykuar si të drejta.
Ne madje mendojmë se janë vendime të gabuara dhe që na vendosin neve si Opozitë, jo përballë Edi Ramës por fatkeqësisht përballë Perëndimit.
LDE e refuzon çdo retorikë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë antiperëndimore.
LDE beson se ne forcat opozitare e sidomos ne forcat politike të djathta duhet detyrimisht dhe patriotikisht të jemi properëndimorë.
LDE është vendosmërisht dhe qartësisht një parti e djathtë, parti opozitare, parti e shqiptarizmës dhe properëndimore.
Ne jemi kundër çdo bojkoti dhe braktisjeje të detyrës.
Shantazhi i “djemve që mund të djegin qytetin” nuk është as zgjidhja dhe as rruga e LDE.
Ne nuk kërkojmë as luftë dhe as marrëveshje me Edi Ramën.
Ne besojmë se Edi Rama është Fajtori Kryesor i dekurajimit të çdo Reforme në Shqipëri.
Asnjë sukses nuk e ka arritur Edi Rama dhe qeverisja e tij, e asnjë sekondë më tepër nuk e meriton ai të qëndrojë në qeverisje.
Edi Rama në gjykimin e LDE është Kryeministri i Qeverisjes së Mafias Estetike dhe si i tillë përbën një rrezik të lartë kombëtar.
Por Edi Rama nuk mundet e as rrëzohet me bojkot, as me braktisjeje detyre nga ana e Opozitës, as me shantazhin e “djemve që djegin qytetin”.
Edi Rama rrëzohet me bashkimin dhe Aleancën e më të Mirëve dhe të Merituarve.
Një Opozitë që merr vendime në reduktim, pa i përfillur aleatët e tjerë joparlamentarë, nuk jep mesazh bashkimi, por lëshon nga TV urdhëra rreshtimi.
Na vjen keq, por ne si LDE nuk jemi as ushtarë e as tradhëtarë.
Nuk zbatojmë vendime të të tjerëve, as urdhëra apo porosi nga TV, as dimë të rreshtohemi.
Nëse Opozita e Bashkuar e disa partive (ish – parlamentare) vendos të bojkotojë zgjedhjet, ne si LDE do ta kundërshtojmë dhe refuzojmë këtë vendim të tyre.
Ne si LDE do të hyjmë në zgjedhjet lokale si parti e djathtë, si parti opozitare e do të konkurojmë aty ku mundemi aq sa mundemi.
Ne besojmë se Edi Rama di dhe do ti bëjë zgjedhjet e lira dhe të ndershme si Damian Gjiknuri.
E megjithatë ne si LDE nuk e braktisim detyrën dhe arsyen pse ekzistojmë si parti.
Ne do të konkurojmë që të mos u mohojmë të drejtën atyre qytetarëve që besojnë si ne dhe tek ne që të kenë mundësinë për të na votuar.
Ne do tia dalim.
LDE është parti e aspiratave dhe ideve.
Kujdes, e ripërsërisim.
Ne nuk jemi Opozita.
Ne nuk jemi zëvendësuesit e Opozitës.
Ne nuk jemi as Opozita e re, as Opozita e emëruar, as e porositur.
Ne jemi thjesht një parti e djathtë dhe opozitare që nuk braktis detyrën.”
/a.meta