Ish-bashkëkryetari i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Oerd Bylykbashi ka replikuar në distancë me ambasadorin e OSBE-së, Borchard, se nuk ka thënë asnjë gjysme fjale për denoncimet dhe për provat e publikuara nga opozita për blerjen e zgjedhjeve.
Bylykbashi ka listuar akuzat që ka bërë opozita, duke thënë se ato janë shembulli i keq për rajonin.
“Shembulli i keq për rajonin. Të fitosh zgjedhjet me bandat e kriminelëve dhe 19 prej tyre t’i bësh deputetë, më pas kriminelët përdhunues vrasës e trafikantë t’i bësh kryetarë bashkish që të kontrollojnë territorin dhe zgjedhjet, ky është shembull i keq për rajonin. Të mbjellësh me drogë të gjithë Shqipërinë, të përmbytesh me drogë Europën, të shndërrosh vendin në lavatriçe të parasë së drogës, ky është shembull i keq për rajonin”, deklaroi Bylykbashi.
Më tej në reagimin e tij ish-deputeti demokrat thekson se të mos reagosh, të mos thuash gjysme fjale për të gjitha këto, të mjaftohesh vetëm me përmbledhje ekzekutive raportesh dhe të relativizosh problemet e rënda, është nje shembull i keq për të gjithë.
“Të reagosh duke e refuzuar këtë sistem të kalbur dhe të dalësh në protestë për të kërkuar zgjedhje të lira e të ndershme, ky është një precedent që i bën mirë rajonit, sepse i tregon kujtdo që kërkon të bëhet kryeministër, se çfarë ndodh, nëse qeveris si Edi Rama”, thekson ai.