Investimet në godinën e Institutit të Policisë Shkencore do të garantojnë kushte sa më optimale për këtë institucion të rëndësishëm në shtetin e së drejtës.
Anëtarë të komisionit parlamentar të Sigurisë zhvilluan sot një seancë dëgjimore në ambientet e Institutit të Policisë Shkencore.
Kryetarja e këtij komisioni, Ermonela Felaj vlerësoi sot rolin e këtij instituti në plotësimin me prova të çdo ngjarje kriminale që ndodh në vend.
“Na vjen mirë që ky institucion ka marrë vëmendje ndër vite duke u pajisur me pajisje të reja dhe duke u synuar edhe në përmirësimin e performacës më të mirë të njerëzve që bëjnë pjesë në këtë institucion”, tha Felaj, në një deklaratë për mediat pas kësaj vizite.
Ajo vuri në dukje se “ekipet ndërkombëtare e vlerësojnë Institutin e Policisë Shkencore për kapacitetet teknike apo njerëzore që ka brenda tij”.
“Kuptohet që puna duhet të zhvillohet në ambiente më të përshtatshme dhe synimi i kësaj vizite ky ishte. Ndaj, në bashkëpunim edhe me strukturat e tjera pranë Ministrisë së Brendshme ne do të angazhohemi për t’i dhënë pamjen e duhur këtij institucioni, në mënyrë që të punojë në kushte sa më optimale dhe që në një të ardhme të afërt të renditet denjësisht me institucione të tjera të ngjashme homologe në Europë apo në botë”, tha Felaj.
Felaj theksoi se, “Kuvendi i Shqipërisë ka nënshkruar dhe ratifikuar një marrëveshje me ndërkombëtarët e cila i jep mundësi këtij institucioni që të shkëmbej të dhëna për gjurmët papilare apo gjurmët e gishtave apo të dhënat e AND-së dhe të dhëna që lidhen me lejen e drejtimit të automjeteve”.
Ky shkëmbim të dhënash, tha Felaj, do të bëhet jo vetëm brenda sistemit të të dhënave tona, por do të veprojë në sisteme të tjera të Ballkanit jugperëndimor dhe vende anëtare të BE-s”.
Në këtë mënyrë, tha Felaj, “probabiliteti për të identifikuar autorë të veprave penale brenda dhe jashtë vendit rritet në mënyrë të jashtëzakonshme”.
E pyetur mbi përdorimin e gazit lotsjellës në protesta nga ana e Policisë, Felaj tha se “ligji e lejon Policinë ta përdor ndaj çdo proteste që kalon në eskese dhe në veprime që ligji i ndalon”.
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.