Ylli Shehu është deputeti më i ri i Kuvendit të Shqipërisë. Deputeti i opozitës i cili pranoi mandatin pas vendimit të PD dhe LSI për të djegur mandatet ka folur lidhur me arsyet që e kanë çuar drejt këtij vendimi. Ai thotë se nuk është ndikuar nga asnjë.
Shehu në një intervistë për gazetën ‘TemA’, shprehet se kryetarja e LSI Monika Kryemadhi dhe kryetari i PD-së Lulzim Basha duhet të mësojnë të frymëzojnë masat. Sipsa tij kur nuk u bënë të besueshëm për ata që kishin në lista, në elektorat ata nuk mund të bëjnë dot asgjë.
Deputeti deklaron se do të jetë një opozitar i fortë në Kuvend pasi qeveria ka probleme të thella që duhen luftuar me çdo formë.
Ai gjithashtu komentoi edhe gafën epike që bëri gjatë një interviste për mediat, e cila tërhoqi vëmendjen e të gjithëve.
Jeni betuar në Kuvend si deputet nga lista e djathtë. E patët të vështirë vendimin?
Jo, unë jam zgjedhur nga LSI e cila është një parti e majtë dhe pavarësisht renditjes në listë, unë kam qenë kandidatat për qarkun më të madh, atë të Tiranës dhe kam qenë në pjesën fillore të listës. Por ju mund ta keni fjalën për vitin 2013. Është e vërtetë që atëherë u zgjodha në një parti të djathtë, siç është Partia Republikane.
Në të dyja rastet kam grumbulluar vota që shkojnë përtej një mandati, sepse mbështetësit e mi dhe të familjes sime, nuk kanë parë asnjëherë se për kë parti votoj, por në dy zgjedhjet e fundit më kanë dhënë votën pa asnjë mëdyshje. Vështirësia e vendimit nuk duhet mohuar. Ky është një moment kritik për vendin. Djegia e mandateve është një akt ekstrem i zotit Basha që ju imponuar dhe zonjës Kryemadhi.
Deputetët si nga PD si nga LSI, u detyruan të lënë mandatet, jo sepse e donin dhe besonin këtë që sot na e quajnë “sakrificë”, por se nuk ju la rrugë tjetër. i mirëkuptoj të gjithë ata që nuk ngritën zërin, e marr me mend se e dinin çfarë i priste, nga akuzat për tradhti, tek shitblerja apo tek fushata denigruese në rrjetet sociale apo sponsorizimet negative në media. Ishte vendim i vështirë ku vlerësova cila prej lidhjeve të mia ishte më e fortë: ajo me partinë, apo ajo me qytetarët.
Partia nuk denjoi të më pyeste për këtë vendim më parë, e as të më përfshinte në organizimet e saj këto dy vite që nuk isha deputet, dhe pse me votat e mia kisha ndihmuar që 5 deputetë të fitonin në Tiranë. Qytetarët? Ata e kanë treguar në të gjitha sondazhet apo emisionet televizive me telefonata nga publiku që nuk e mbështesin këtë ekstremitet. Ndërkohë, qëndrimi një zëri i ndërkombëtarëve e qartësoi rrugën time.
Patët ndërhyrje nga Partia Socialiste apo vetë Kryeministri?
Në asnjë rast nuk kam pasur asnjë telefonatë e jo më negociatë, as me socialistë e jo më me kryeministrin. Hera e parë që jam përshëndetur me të ka qenë seanca e bërjes së betimit kur erdhi na shtrëngoi dorën të gjithëve. Asnjë bisedë më shumë.
Madje as tani më pas nuk ka shprehur ndonjë interesin për të kërkuar ndonjë lloj bashkëpunimi. Unë jam i gëzuar që pas ne 4 të parëve që u betuan, 7 të tjerë erdhën këtë të mërkurë, e të paktën dy të tjerë janë në pritje në KQZ. Kjo tregon se ne nuk ishim të vetëm, e as të gabuar. Ne nuk nisëm një aventurë personale për egon tonë, për secili prej nesh në statusin e vetë, në atë çka përfaqëson, kërkon të japë një alternativë të re, aq të nevojshme sidomos në këtë kohë krize.
U tha për shitë- blerje. U bletë?
Unë nuk mendoj se mandati im do të shpëtojë Shqipërinë, por akti im ishte shprehje e vullnet tim për të bërë aq sa mundem. i kam dëgjuar këto akuza, të cilat më së shumti i bën kryetarja e LSI-së.
Këtë pyetje çuditërisht nuk e bënë në 2015 kur kalova në partinë e tyre dhe bashkë me kostot që mora vetë, atyre ju solla gjithë mbështetjen time elektorale. Nuk mendoj që të thuash “u blenë deputetët”, “u blenë votat” mjafton për të justifikuar atë që opozitës i mungoi në zgjedhjet e fundit, e aq më pak kjo nuk mund të funksionojë dhe të justifikojë mungesën e mbështetjes popullore ndaj këtij lidershipi të opozitës.
Sidomos pas aktit ekstrem të djegies së mandateve, populli nuk është me ta, e për këtë nuk mund të fshihen pas gishtit me akuza për shitblerje për këdo. Z. Basha e znj. Kryemadhi duhet të mësojnë të bëhen të besueshëm e të frymëzojnë masat. Kur nuk na frymëzojnë dot ne që na kishin në lista, çmendojnë të arrijnë tek elektorati?
Do votoni përkrah pozitës për ligjet me 84 vota?
Nuk mund ta them këtë. Unë dhe besoj edhe kolegët e mi me aq sa kemi folur, nuk kemi asnjë arsye të bëhemi patericë e qeverisë, e cila ka probleme të thella, që duhen luftuar me çdo formë që përfshin institucionet. Unë do të votoj vetëm ato ligje ku qartazi përfitojnë njerëzit të cilët hera herës i bëjmë mish për top për konfliktet politike. Tani më vjen ndërmend Kodi Zgjedhor, vota e emigrantëve.
Unë vij nga qarku i Kukësit. Më shumë se gjysma e banorëve janë në emigracion dhe paratë e tyre mbajnë familjen. A duhet që unë të votoj kundër të drejtës së votës për ta? Nuk kam ndonjë arsye bindëse. Do të votoj kundër, siç kam bërë këto ditë, atyre ligjeve që nuk kanë në qendër qytetarin, por intresa të ngushta.
E keni menduar me kë parti do jeni në 2021?
Aty ku do të jetë interesi dhe nevoja e njerëzve të mi që më kanë votuar në Kamëz, Paskuqan, Vorë dhe gjithë Tiranën. Ju lutem mos më kërkoni parashikime. Unë nuk jam militant partie, por militant i qytetarëve.
Si u ndjetë kur u hodh video ‘besutën dhe votutën’?
Nuk kam pasur kohë të ndjek kaq shumë rrjetet sociale, edhe për “faj” të kolegëve tuaj gazetarë që kanë pasur një interesim të lartë këto kohë. Koha do të më japë të drejtë dhe do të më gjykojë mua e të tjerët. Kush gjen ngushëllim tek fraza momentale të miat apo të kujtdo tjetër, duhet të gjejë një tjetër fije kashte për tu kapur gjatë mbytjes. /TemA Javore