Ashtu siç kishte paralajmëruar, opozita e bashkuar do të protestojë sot para Kryeministrisë.
Protesta do të nisë në orën 11:00 dhe është e dyta pas protestës së 16 shkurtit para Kryeministrisë, ku nuk munguan aktet e dhunës nga ana e opozitarëve.
Raportimet nga terreni flasin për dhjetëra autobusë me militantë nga rrethet që i janë drejtuar Tiranës me autobusët e vënë në dispozicion dhe me automjete private.
Opozita akuzon qeverinë për lidhje me krimin, blerjen e votave dhe kërkon qeveri tranzitore. Gjithashtu PD-LSI kërkojnë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
Planet e masave të marra nga policia për sot janë të njëjta me ato të protestës së 16 shkurtit, ndërsa ka refuzuar kërkesën e PD për të protestuar pa afat.
Ashtu si në 16 shkurt, PD kërkonte që leja për tubim që nistë në orën 11:00, por të ishte pa një afat mbarimi të përcaktuar.
Policia e ka refuzuar lejen me argumentin se duhet përcaktuar orari i mbylljes së tubimit.
Në kërkesën e saj, PD njofton policinë se protesta do të zhvillohet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” tek sheshi para kryeministrisë, Lulishtja tek piramida dhe te rruga “Ismail Qemali” në krah të kryeministrisë, rrugë në të cilën mjetet lëvizin nga RTSH drejt bulevardit.
Në terren pritet të angazhohen 1600 efektivë të policisë së Tiranës.
/a.rada