Kur na ndajnë edhe disa orë nga protesta e opozitës së bashkuar, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka mbledhur aleatët tek selia blu për të koordinuar veprimet për tubimin e ditës së nesërme para godinës së kryeministrisë.
Lideri demokrat, sot zhvilloi edhe një takim me ministrin e Jashtëm të Çekisë, ndërsa prej aty përcolli një mesazh të fortë ndërkombëtarëve teksa iu kërkoi të mos jenë palë me asnjë parti politike në Shqipëri.
“I kërkoj të jenë palë me vlerat e demokracisë, zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe të luftës kundër drogës dhe shitblerjes së votës. Protesta e së nesërmes do të jetë tjetër rast për të ngritur zërin. Kam bindjen se do të hyjë në histori për të ndalur të keqen dhe për të hapur dyert në Europë”, u shpreh më herët Basha.
Pas djegies së mandateve, opozita e bashkuar ka zhvendosur betejën politike nga Kuvendi në rrugë, ndërsa kërkon mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme dhe krijimin e një qeverie tranzitore.
/a.rada