Në vazhdën e takimeve me të gjitha bashkitë e Shqipërisë, kryeministri Edi Rama ka ndaluar sot në qytetin e Beratit.
Duke folur për zgjedhjet e qershorit, Rama tha se nuk mjafton vetëm të fitohet ndaj opozitës.
“Nuk di si t’i quaj. Se as përballë nuk i kemi, por kanë kthyer kurrizin dhe kanë ikur në drejtim të paditur. Sidoqoftë betejën nuk e kemi me ata, por me hallet dhe problemet e njerëzve. Sepse betejën me ata e kemi shumë të lehtë” – tha Rama.
Kreu i ekzekutivit tha se opozita ka vendosur ta braktisë detyrën në Kuvend dhe kërkon përmbysjen e qeverisë me dhunë.
Ai nuk kurseu as ironinë me Lëvizjen Socialiste për Integrim.
“Këto skena ne i kemi parë shumë vite më parë dhe që për fat të keq, ata të cilët përfaqësojnë Partinë Demokratike, dhe ajo tjetra që është simotra e njërës apo tjetrës sipas radhës, shfaqen në kundërshtim me rregullat demokratike. E vetmja gjë që nuk preket dot është qeveria. Duhet ta kuptojnë se nuk kanë çfarë t’i bëjnë fare Partisë Socialiste, por vetes së tyre. Sepse ai që shkon pas berihait, mbyll dyqanin këtu në Berat dhe i ndjek ata nga mbrapa në Tiranë. Prandaj ta dinë mirë se nuk na prekin dot asnjë fije floku” – u shpreh Rama.
Sipas tij, qeveria do t’i qendrojë besnike shumicës që e ka votuar. Rama nuk kurseu as ironitë teksa fliste për opozitën.
“U them grave që i kanë burrat demokratë, mbajini burrat nga xhaketa e mos i lini të ndjekin berihain. Burrat socialistë edhe e bëjnë ndonjë punë, ndërsa burrat demokratë vetëm për punë nuk i ke. A e mban dot mali i Shpiragut ta mbajë dot thirrjen e Monikës që i lutet Zotit të shpëtojë shqiptarët nga bleraj e votës? Edhe nëse nuk hyjnë në zgjedhje, nuk ka asnjë problem. Luli ka zgjedhur Monikën, ne kemi zgjedhur njerëzit” – tha ai.
Ai u ndal edhe në investimet e zonës duke u shprehur se e ardhmja e Beratit varet nga turizmi.
Nga ana tjetër, shefi i ekzekutivit u shpreh se qeveria është e vetëdijshme për nevojat në infrastrukturë.
“Ekonomia në tërësi ka hyrë në rrugën e duhur, edhe pse asnjëherë nuk është e mjaftueshme nëse e krahasojmë veten me të tjerët. Por jemi të sigurtë që biznesi është lehtësuar nga taksat e së shkuarës” – tha Rama në Berat.
/javanews/a.rada
“