Dhjetëra prindër në SHBA, përfshirë dy aktorë të njohura Lori Loughlin dhe Felicity Huffman u akuzuan këtë javë për vepra penale sepse kishin paguar nën dorë shuma të mëdha parash për të blerë pranimin e fëmijëve të tyre në universitete të njohura. Skandali ka nxjerrë në dritë një proces me shumë të panjohura dhe shumë kokëçarje për të rinjtë që aplikojnë në universitete, thotë Zëri i Amerikës.
Çfarë duhet të bëjë një aplikant që të pranohet në një universitet amerikan?
Të rinjtë nuk mund të presin deri në vit të fundit të shkollës së mesme për t’u përgatitur. Ata fillojnë sapo futen në shkollë të mesme. Mesatarja – faktori më i rëndësishëm për të vendosur nëse pranohet një aplikant – fillon të llogaritet që në ditën e parë të shkollës së mesme.
Pjesa më e madhe e universiteteve u kërkojnë aplikantëve të dërgojnë dëftesat me nota për gjithë vitet e shkollës së mesme, ku përfshihet edhe mesatarja, që llogaritet jo vetëm nga nota në lëndë, por edhe nga niveli i vështirësisë së lëndës. Mesatarja 4.0 pikë konsiderohet më e larta, por nxënësit mund të marrin lëndë të nivelit universitar për ta ate edhe më lart.
Megjithatë, notat nuk janë garanci për pranim. Pjesa më e madhe e universiteteve përdorin metodologji shumë-dimensionale për të gjykuar aplikantët duke marrë në shqyrtim arritjet në sport apo art, shpirtin inovator dhe iniciativën vetjake. Studentët shkruajnë edhe një ese ku përpiqen të tregojnë karakterin e vërtetë. Më parë, një student shkruante për traumën që kishte ndjerë pas ndarjes së prindërve. Por sot, një temë më popullore është përvoja e një të riu që është kujdesur për një pjesëtar të moshuar apo të sëmurë në familje.
Aplikimet nga Studentët Ndërkombëtarë
Studentët ndërkombëtarë që aplikojnë nga vendet e tyre mund të gjejnë informacion falas nga 425 qendra kulturore, pranë konsullatave apo ambasadave amerikane në vendet e tyre.
EducationUSA, faqja elektronike e Departamentit të Shtetit e zbërthen procesin në terma të kuptueshme duke shpjeguar si aplikohet në universitetet amerikane, si planifikohen provimet e pranimit, si mund të paguash për studimet në SHBA, si mund të aplikosh për vizë studenti dhe çfarë përgatitjesh duhet të bësh për të ardhur në SHBA si student i huaj.
Drew Gilpin Faust, e para grua presidente e Universitetit të Harvardit, ofron filozofinë e këtij institucioni prestigjoz në procesin e pranimeve:
“Ne mund t’i mbushim dy herë më shumë klasat me gjithë të rinjtë e shkëlqyer në mësime që aplikojnë në këtë universitet. Por ne kërkojmë edhe diçka më tepër. Një prej veçorive është karakteri i fortë. Rekomandimet nga mësuesit, punëdhënësit që dëshmojnë se çfarë kanë vërejtur tek ky i ri janë shumë të rëndësishme, pasi tregojnë se si do të përshtatet ky individ në komunitetin tonë. Po ashtu, ne kërkojmë individë interesantë, të rinj që do të kontribuojnë në këtë komunitet. Pra kërkohet një kombinim i veçorive që tregojnë se ai do të përfitojë prej nesh, por edhe ne do të përfitojmë prej tij. Do t’i këshilloja prindërit t’i bëjnë fëmijët interesantë, t’i inkurajoni të ndjekin pasionet e tyre, të gjejnë aktivitete që i entuziazmojnë, që edhe ne të entuziazmohemi”.
Presidentja e Universitetit të Harvardit i bëri komentet në vitin 2014 në një diskutim në Festivalin e Ideve në Aspen. Në diskutim asaj iu drejtua pyetja “Nëse një i ri është me nota të shkëlqyera, më të lartat në atë vit shkollor, ka marrë rezultate të përsosura në provimet e pranimit, është kapiten i ekipit të futbollit, president i shoqatës studentore, a do ta ketë të garantuar pranimin?”. Zonja Faust përgjigjet “Jo”.
/a.meta