Nga Skënder Minxhozi/
Kur pyet sot një opozitar sesi e sheh rezultatin eventual të një gare elektorale me qeverinë, zyrtarisht të thotë se beson në fitore, por më pas, zëulur pranon se “as ky i yni s’ka gjë në vijë”. Raporti mes partive politike, sipas të gjitha sondazheve të botuara ose jozyrtare, tregon në thelb një të vërtetë të madhe për garën politike në Shqipëri pas vitit 2017: ndërkohë që kuotat e qeverisë ngjiten ose bien sipas krizave, skandaleve e momenteve të vështira, “elektrokardiograma” e opozitës mbetet e sheshtë. Tamam si ajo e një njeriu me arrest kardiak. Rama mund të humbasë pikë kur plasin protestat studentore, ose kur një skandal i caktuar pushton ekranet, por përqindjet e tij të humbura nuk transferohen tek opozita. Ky është tashmë një fenomen i konsoliduar, që e dinë mirë politikanë, stacisticienë e njerëz të medias.
Këtë realitet tregoi në thelb edhe sondazhi i fundit italian, i dalë në Report TV. Një raport forcash në politikën shqiptare, që udhëton i patrazuar përmes shumë e shumë betejave politike të të gjitha përmasave, përfshirë edhe këtë më të fundit, me djegien e mandateve të opozitës. Edhe vetë akti ekstrem i deputetëve të PD-LSI të çon në fakt indirekt tek shifrat e mësipërme të sondazheve të opinionit publik. Sepse ky gjest i skajshëm e zbulon, në vend që ta maskojë, krizën e thellë të shifrave dhe të performancës që shqetëson prej kohësh kampin opozitar.
Basha dhe Kryemadhi lëvizin shumë nëpër Shqipëri këto kohë. Kanë muaj e muaj që përpiqen të “rianimojnë” bazën e tyre të votuesve, kanë muaj që përpiqen të deshifrojnë formulën magjike që do t’i bënte të barazonin ambicjet me mundësitë. Ata më shumë se kushdo tjetër zotërojnë sot sondazhe dhe anketime të rregullta të opinionit publik. Ata më shumë se të gjithë ne, dinë se aktualisht gara e shifrave me kundërshtarin vazhdon të jetë e humbur, ashtu si në vitin 2017. Dhe shitblerja e votave ka pak peshë në këtë mes, sepse po të ishte ashtu, në vend që të digjte mandatet, opozita duhej ta bënte natën ditë që të formulonte të gjitha garancitë e duhura ligjore, të votonte ligje e kode, me qëllim që të blindonte procesin e votimit dhe të gjitha veprimet që lidhen me administrimin e votës.
Në vend të kësaj, kemi parë një opozitë që nuk pranoi për muaj të tërë të paraqitet në tryezën e reformës zgjedhore, megjithëse për një reformë të tillë ky vend ka një nevojë ulëritëse, pasi prej saj ka dalë sistemi monstruoz i listave të mbyllura, që po e vuan në këtë moment edhe vetë opozita, me deputetët e panjohur që po vërshojnë në Kuvend.
Sondazhet nxjerrin thuajse të gjitha një verdikt të përafërt: me pak luhatje, raportet e forcave nuk kanë ndryshuar pas zgjedhjeve të fundit. Është një verdikt i cili është shkaku themelor i trazimit të opozitës shqiptare, por është edhe motivi i qetësisë olimpike të qeverisë.
E këtu duket se nga shifrat pozitive, lind një problem jo i thjeshtë edhe për Edi Ramën. Sepse edhe për shumicën, sondazhet përfaqësojnë një pasqyrë me dy anë. Nga njëri krah, demostrojnë se mes kampeve mbetet një distancë e vogël “sanitare”, që i jep një farë qetësie qeverisë. Por nga ana tjetër, shqiptarët që ikin, shtimi i dukshëm i elektoratit gri dhe pesimizmi ku vegjeton një pjesë jo e vogël e shoqërisë shqiptare – të gjitha këto tregojnë se e majta aktuale është thjesht më e mirë se e djathta në preferenca, porse edhe ajo vetë ka një barrë të rëndë kusuresh mbi shpinë.
Loja virtuale e sondazheve ka krijuar idenë e rreme tek një pjesë e pozitës, se punët shkojnë mirë “për sa kohë Lulin dhe Monën i kemi prapa”. Çeshtja është se bilanci i qeverisjes nuk bëhet vetëm në raport me distancën nga kundërshtari, por edhe në raport me vetveten. E majta shqiptare duket se mezi pret që të garojë me opozitën, por kur fiton më pas, mezi pret të vijnë zgjedhjet e tjera, pasi katërvjeçari që ndodhet në mes, i duket “një punë boshe”.
Rama mund të ndjehet komod që sondazhet e japin fitues, por nuk duhet të ndjehet aspak mirë me ritmin, cilësinë dhe mënyrën sesi po shkojnë punët në këtë vend. Teksa detyrohet të përsërisë pafund “jam unë i pari i pakënaqur me qeverisjen”, kryeministri bën mirë ta dëgjojë vërtetë kryeministrin. Sepse ka vetëm relativisht vlerë që në një ambjent depresiv si ky i yni, të kesh favorin e sondazheve. Fiton garën e partisë, jo të Shqipërisë.