Zgjidhen 285 emrat e rinj, që fitojnë të drejtën për të studiuar për një nga 36 specialitetet mjekësore në vend. Një ekip prej 26 profesorësh, pjesë e Komisionit të Vlerësimit të kryesuar nga dekani i Fakultetit të Mjekësisë, Xheladin Draçini, kanë hartuar listën finale, bazuar në kuotat e ofruara nga Ministria e Shëndetësisë, ajo e Mbrojtjes, e Drejtësisë dhe Ministria e Brendshme. Publikohet lista përmbledhëse e meritës, e cila s’është veçse një renditje e kandidatëve bazuar mbi pikët përmbledhëse, që kandidatët kanë siguruar në testimin me gojë, atë me shkrim dhe notës mesatare.
Përpos emrave të poshtëlistuar janë edhe shtatë të transferuar në vitin e parë, bazuar në nevojat e shërbimit shëndetësor për mjekë të specializuar. Konkurrimi ka nisur që në datën 5 mars me intervistën me gojë e më pas ai i informatizuar që është kryer në ambientet e Qendrës së Shërbimeve Arsimore përgjatë katër ditëve. Si asnjëherë më parë, mundësia e fitimit të së drejtës për t’u specializuar në një fushë ka qenë shumë e madhe. Kjo, për shkak të numrit të rritur të kuotave.
Plot 309, për të cilat garuan 294 kandidatë. Por, për të pasur mundësinë e përzgjedhjes së një specialiteti të caktuar, një kandidat duhet të siguronte minimalisht 380 pikë, sipas rregullores. Për këtë arsye, janë skualifikuar, që në krye të herës, nëntë prej tyre, ndërsa pjesa tjetër, diku me më shumë apo me më pak dëshirë, mund të arrijnë të sigurojnë një vend në një prej profileve të ofruara.
Tarifa e ndjekjes së studimeve është e pandryshuar nga vitet e kaluara, 115 mijë/vit akademik. Sipas rregullores, studentët e shpallur fitues duhet të derdhin menjëherë 30% të tarifës vjetore, ndërsa këstet e tjera arkëtohen sipas afateve dhe masës në përqindje që do të përcaktojë Fakulteti i Mjekësisë.
/a.meta