Policia e Shtetit dhe anti-terrori kanë nisur në Gjykatë përplasjen e “brirëve” me Prokurorinë, pas dyshimeve te policisë se është nxitur urrejtja etnike gjatë një ceremonie në rrethinat e Shkodrës që përkujtoi ushtaret serbo-malazeze të vrarë gjatë 1912-1913. Por pavarësisht gjetjeve Prokuroria i ka pushuar hetimet dhe diçka e tillë ka nxitur zemëratën e policisë.
Gjykata thotë për Top Channel se si prova janë dorëzuar fotografime dhe kqyrje në rrjetin social Facebook ku demonstrohen fjalime gjatë ceremonisë të kujtim të të vrarëve në rrethimin e Shkodrës, ku malazezet pushtuesit i quajnë çlirues.
Por Prokuroria, e cila ka pushuar hetimet pretendon se nuk mundi ta gjejë faqen e facebook që tashme është mbyllur edhe pse ndërkohë anti-terrori ka administruar të dhëna me interes për hetimin.
Ceremonia serbo-malazeze u denoncua si skandal në muajin dhjetor edhe nga gazetari Marin Mema në emisionin “Gjurmë Shqiptare”.
Në padi antiterrori i thotë Gjykatës se pasi janë kryer veprime hetimore është konfirmuar nga autoritet se nuk është marrë asnjë leje dhe ceremonia është zhvilluar jashtë dijenisë së palës shqiptare.
Kjo është përplasja e parë polici prokurori për çështje kombëtare, ndërkohe që më herët moskuptim ka patur mes këtyre dy institucioneve edhe per referimin e nxitjes së urrejtjes në jug të vendit ku shpesh herë sinjalistika rrugore e shkruar në Gjuhën Shqipe dëmtohej.
Të kater rastet e referuara nga antiterrori për veprën e nxitjes së urrejtjes janë pushuar nga Prokuroria e Gjirokastrës për shkak të mos gjetjes së autoreve.
Aktualisht Prokuroria e Gjirokastrës ka nën hetim çështjen e Bularatit për protestat e zhvilluara pas vrasjes së Kacifas dhe që sërisht ka veprën nxitje e urrejtjes, ndërkohë që Krimet e Rënda nuk i kanë dhënë ende drejtim dosjes hetimore të vrasjes së Konstandino Kacifës, i cili u vra gjatë shkëmbimit me armë zjarri.
/a.meta