Kanë nisur punën pranë administratës së Ministrisë së Brendshme 15 studentë të ekselencës, të cilët u shpallën fitues pas aplikimit në portalin “Punë të Mbarë”.
Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj e ka nisur ditën e punës me një takim me këta të rinj, të cilëve u ka uruar punë të mbarë dhe u ka shprehur mbështetjen e tij dhe të MB në punën e tyre të përditshme.
Gjatë bisedës, ministri u ka kërkuar të rinjve që ta konsiderojnë këtë eksperiencë, si një mundësi mirë për të kryer një shërbim të madh publik dhe mbi të gjitha të tregojnë seriozitet, përgjegjshmëri dhe të japin kontributin e tyre për krijimin e një administrate dinjitoze.
Ai ka shprehur besimin se eksperienca e këtyre të rinjve do të shërbejë si një model pozitiv, që do të shndërrohet në një traditë dhe do u hapë rrugë brezave të rinj të ekselencës. Studentët që iu bashkuan sot administratës së Ministrisë Brendshme, përbëjnë rreth 8% të të gjithë punonjësve.