INSTAT ka publikuar statistikat për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme për vitin 2017. Sipas statistikave, rezulton se numri i të punësuarve është rritur me 4.7 %, duke arritur në 492,923 të punësuar në 2017, nga 469,665 që ishin në 2016.
Në Shqipëri numri i ndërmarrjeve NVM është 99,8 %, i njëjtë me BE. Numri i të punësuarve në këtë grup ndërmarrjesh është 80,3 % në Shqipëri nga 66,4 % në BE. Vlera e shtuar e realizuar nga NVM në Shqipëri përbën 68,3 % nga 56,8 % në BE.
Përqindjen më të lartë të punësimit në mikrondërmarrje me 73,4 %, e zë sektori i akomodimit dhe shërbimit ushqimor. Sektori i ndërtimit ka përqindjen më të lartë të punësimit në ndërmarrjet e vogla me 30,1 %. Sektori i industrisë përpunuese ka përqindjen më të lartë të punësimit në ndërmarrjet e mesme me 37,2 %.
Statistikat e tjera përllogarisin se:
• 99,8 % të ndërmarrjeve aktive e zënë NVM, nga 99,9 % që zinin vitin e kaluar. Sektori i tregtisë ka peshën më të madhe me 41,4 %, i ndjekur nga sektori i shërbimeve të tjera me 20,8 %. Përqindjen më të ulët e ka sektori i industrisë nxjerrëse me 0,4 % dhe sektori i energjisë elektrike, ujit dhe menaxhimit të mbetjeve me 0,6 %.
• 80,3 % e të punësuarve janë punësuar nga NVM nga 81,0 % që ishte në vitin e kaluar. Sektori i tregtisë punëson 29,2 % të NVM-ve, i ndjekur nga sektori i shërbimeve të tjera me 19,6 % dhe sektori i industrisë përpunuese me 18,7 %. Sektorët me numrin më të vogël të të punësuarve në NVM-të janë sektori i industrisë nxjerrëse me 1,7 % dhe sektori i energjisë elektrike, ujit dhe menaxhimit të mbetjeve me 2,4 %
• 77,2 % të shitjeve neto realizohen nga NVM nga 77,8 % të realizuara vitin e kaluar.Sektori i tregtisë ka peshën më të madhe me 52,6 % të shitjeve neto, i ndjekur nga sektori i industrisë përpunuese me 11,4 % dhe nga sektori i ndërtimit me 11,2 %. Sektori me përqindjen më të ulët të shitjeve të realizuara nga NVM-të është sektori i industrisë nxjerrëse me 2,1 %.
• 60,1 % të investimeve në vend kryhen nga NVM nga 74,9 % të kryera vitin e kaluar. Sektori me përqindjen më të lartë të investimeve të kryera në NVM-të është sektori i energjisë elektrike, ujit dhe menaxhimit të mbetjeve me 24,1 %. Nga ana tjetër, sektori i industrisë nxjerrëse ka përqindjen më të ulët të investimeve prej 1,3 %.
• Ndërmarrjet me 250+ të punësuar edhe pse përbëjnë vetëm 0,2 % të ndërmarrjeve gjithsej në vend, punësojnë 19,7 % të punonjësve, kryejnë 39,9 % të investimeve dhe realizojnë 22,8 % të shitjeve neto.
• 2,7 % e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme eksportojnë mallra nga 2,4 % që eksportuan në vitin 2016. Vlera e eksporteve të mallrave të NVM përbën 59,6 % të vlerës së eksporteve gjithsej. Sektori me përqindjen më të lartë të ndërmarrjeve eksportuese është industria nxjerrëse, ku 24,4 % e ndërmarrjeve aktive të këtij sektori eksportojnë.
• 9,3 % e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme janë importuese nga 7,4 % që ishin në 2016, të cilat përbënë 81,6 % të vlerës së importeve të mallrave për 2017. Për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, sektori me përqindjen më të lartë të numrit të ndërmarrjeve importuesve është sektori i industrisë nxjerrëse me 20,3 %.
• Rreth 9,9 % e shitjeve neto të NVM shkojnë për eksport. Ndërmarrjet e mesme kryejnë përqindjen më të lartë të eksporteve me 19,2 % të shitjeve neto të realizuara prej tyre. Mikrondërmarrjet eksportojnë vlerën më të ulët ku rreth 3,3 % të shitjeve neto janë eksportuar.(monitor)