Dy shqiptarë janë vënë në prangat e policisë italiane të Ragusa, të dyshuar si korrierë droge.
Të arrestuarit janë dy personat që shihni në fotografi A.J., 20 vjeç dhe H.E., 28 vjeç.
Ata u treguan shumë bashkëpunues me policinë gjatë kontrollit, duke iu dhënë çdo informacion që kërkohej dhe pasaportat e tyre, ndonëse nuk kishin leje qëndrimi.
Shqiptarët i thanë policisë se ishin drejtuar për në Ragusa si turistë. Por për shkak të sjelljes së tyre të dyshimtë, u kontrolluan dokumentet e makinës e cila rezultoi e rregullt.
Dyshimet u thelluan pasi disa pjesë të motorit, dukeshin të çmontuara prej pak kohësh.
Kështu policia nisi kontrollin e thelluar ku në filtrin e ajrit u gjet një pako prej 1.1 kilogramë kokainë.
Droga u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërsa dy të rinjtë u arrestuan në kushtet e flagrancës. Ndaj të dyshuarve hetimet janë në vijim, për të zbuluar bashkëpunëtorë të tjerë të tyre.
/a.rada