Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë i është rikthyer çështjes së dëbimit të 6 shtetasve turq duke theksuar se largimi u bë pa një proces të duhur, nën pretendimin se ata kërcënonin sigurinë kombëtare.
“E përshëndetëm krijimin e një Komisioni Hetimor Parlamentar, i cili i ka ekspozuar shkeljet ligjore rreth incidentit, pavarësisht përpjekjeve për të penguar punën e tij.
Gjetjet e komisionit, të cilat sugjerojnë 31 shkelje ligjore ose procedurale nga Agjencia e Inteligjencës e Kosovës, Ministria e Brendshme dhe institucionet e tjera, ngrenë shqetësime lidhur me mashtrimin e agjencive kryesore të sigurisë, si dhe ndjeshmërinë e sektorit të sigurisë ndaj manipulimit politik”, thuhet në deklaratë.
Ambasada ka kërkuar nga institucionet e Kosovës të kërkojnë përgjegjësi të plotë nga kushdo që e shkel ligjin dhe i kujtoi liderëve kosovare se institucionet e sigurisë duhet të veprojnë vetëm brenda autoritetit të tyre kushtetues.
“Problemi nuk është fajësia apo pafajësia e individëve, por shmangia e dukshme e proceseve ligjore të Kosovës nga politikanët e Kosovës”, thekson ajo.
Nga ana tjetër Ankaraja dyshon se 6 shtetasit ne fjale janë anëtarë të organizatës “Hizmet”, të klerikut Fetullah Gulen.
Por i menjëhershëm ishte edhe reagimi i kryeministri Haradinaj. Shefi i ekzekutviti ka renditur hapat që, sipas tij, ka bërë për zbardhjen e dëbimit të shtetasve turq.
Haradinaj ka folur rreth hetimeve që janë bërë që kur u dëbuan gjashtë shtetas turq, në fshehtësi të plotë nga institucionet e sigurisë.
Në një postim në rrjetin social “Facebook”, kreu i qeverisë kosovare thekson se asnjë institucion i sigurisë nuk mund të shkelë të drejtat e njeriut.
“Zbardhja e të vërtetës, përgjegjësve dhe shmangieve ligjore do t’i ndihmonin ndërtimit të demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Askush nuk është mbi ligjin dhe asnjë institucion i Kosovës nuk do të shkelë mbi të drejtat universale të njeriut“, shkruan Haradinaj.