Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar sot nga detyra Marsida Xhaferllarin, inspektore e Lartë e Drejtësisë dhe kandidate për të marrë postin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe për një nga vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese.
Sipas KPK, Xhaferllari ka humbur statusin e magjistrates për shkak se nuk i është nënshtruar testimit të shkollës së Magjistraturës.
Gjatë seancës në KPK, sipas relacionit ajo doli pa probleme në kriterin e pasurisë dhe atë të pastërtisë së figurës, edhe pse Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit kishte ngritur disa çështje sa i përket kriterit të profesionalizmit.
Relatori, theksoi në seancën e 4 marsit se kishte paqartësi nëse ajo kishte statusin e magjistrates, pasi ndërkohë kishte marrë statusin e nëpunësit publik.
Pikërisht për shkak të këtyre paqartësive, Xhaferllari është deklaruar nga KPK jashtë sistemit.
Marsida Xhaferllari, inspektore e Lartë e Drejtësisë, iu nënshtrua Vetingut për tre kriteret klasike atë të ligjshmërisë së pasurisë, kriterin etik dhe atë profesional me 4 mars, ndërsa sot KPK shpalli vendimin e shkarkimit nga detyra.
/a.rada