Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi nuk i ka kursyer kritikat për qeverinë këtë të dielë, duke e cilësuar si një “show të rrezikshëm”, investimin e qeverisë për të ngritur repartin e Hemodinamikës në Spitalin Rajonal të Fierit
“Të bësh një investim modern në shëndetësi, që i shërben qytetarëve, është gjithnjë një gjë e mirë. Por kjo që ka bërë Edi Rama në spitalin e Fierit, është një show i rrezikshëm, që mund të dëmtojë rëndë shëndetin e qytetarëve”, shprehet Vokshi.
Sipas saj, “Reparti hemodinamikës në Spitalin Rajonal të Fierit, është vënë në funksionim pa respektuar kushtet minimale të sigurisë. Një pavijon me rëndësi kaq të veçantë për sëmundjet kardiovaskulare, nuk ka asnjë leje apo dokumentacion zyrtar që certifikon sigurinë e tij dhe të jetës së qytetarëve. Nuk ka as licencë nga Instituti i Fizikës Bërthamore”.
Vokthi thekson se, “përveç mungesës kriminale të këtyre lejeve dhe licencave, në bazë të te cilave duhet të vihen në punë pajisjet, reparti nuk ka mjekë të specializuar dhe as staf ndihmës për këtë shërbim”.
“U bëj thirrje mjekëve profesionistë të Spitalit të Fierit të mos bëhen pjesë e propagandës së qeverisë, por të ngrenë zërin për të denoncuar një skandal të përmasave të tilla. Shkelja e protokolleve të sigurisë, që mund të vërë në rrezik jetën dhe të dëmtojë shëndetin e qytetarëve, për të ushqyer propagandën e neveritshme të Edi Ramës, është krim që duhet ndëshkuar”, thekson Vokshi.
Aktualisht në qendrat e Hemodinamikës të Shkodrës dhe të Fierit trajtohen vetëm rastet e programuara, ndërkohë që synimi është që të priten edhe urgjencat.
/a.rada