Elsa Ballauri, drejtore e Grupit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, e ftuar në “Top Talk”, deklaroi se shqiptarët janë popull sipërfaqësor dhe që gënjejnë veten.
“Themi që gratë kanë arritur shumë, por nuk është kështu. Jemi sipërfaqësorë dhe nuk pranojmë gabimet”, u shpreh Ballauri.
Në lidhje me situatën e gruas sot, ajo theksoi: “Gruan nuk e ndaj dot nga shoqëria, ajo është vetë shoqëria. Pengesa kryesore e grave janë në njëfarë mënyre gratë, që debatet mbi to i shmangin. Shoqëria shqiptare është pasive, ka shumë probleme të grave dhe nuk ka shqetësim për të diskutuar në embrion çështjen e grave. Ne jemi sipërfaqësorë si shoqëri dhe nuk duam që të ngacmojmë thelbin. Jemi shoqëri fasadiste, pa i kushtuar rëndësi thelbit. 8 Marsi ka qenë historikisht fasadë. Si histori ka nisur nga përpjekjet e grave komuniste, kur u bë Bashkimi Sovjetik dhe ishte lëvizje për fitoren e votës. Që atëherë e morëm si festë dhe nuk mendonte njeri se çfarë ka pas saj”.
Ballauri nënvizoi se “liderat e lëvizjes së grave duhet të krijojnë një tjetër koncept në lidhje me festën”.
“Unë jam e idesë që gruaja është shumë e fortë dhe shumë e zonja, por nuk e di këtë gjë. Nuk e njeh akoma forcën e vet dhe kur e njeh, nuk ka guxim që ta tregojë”, shtoi Ballauri.
/a.meta