Eliminimi nga Champions përballë Portos ka bërë që te Roma të mendojnë seriozisht për të shkarkuar trajnerin Eusebio di Francesco, i cili megjithatë është mbrojtur si nga drejtori sportiv Monchi, ashtu edhe presidenti Pallotta, që e ka quajtur “një m…” atë që ndodhi dhe përdorimin e gabuar të VAR në Europë.
Skuadra është ende në anën e trajnerit Di Francesco, por drejtuesit e klubit duan një “kokë turku” për t’i hequr alibitë skuadrës, që të tregojë veten në këtë pjesë të mbetur të sezonit. Në fakt, vendi i katërt në renditje është objektivi i vetëm i mbetur dhe deçiziv për skuadrën verdhekuqe.
Në të gjithë këtë histori, ai që “lutet” është trajneri i kombëtares së Shqipërisë, Christian Panuçi. Tekniku i stolit kuqezi ndodhet pikërisht në Romë këto ditë dhe pret telefonatën deçizive nga ana e drejtuesve, më saktë nga drejtori sportiv Monchi ose zëvendës presidenti Baldissoni, që megjithatë do të donte Donadonin dhe madje kanë pasur edhe një bisedë mes të dyve.