Përsëri sirena angleze për Thomas Strakoshën dhe përsëri nga një klub i madh në Premier Ligë.
Sipas mediave italiane, në ndjekje të portierit të përfaqësueses shqiptare është vënë Totenhem, i cili e sheh si një përforcim cilësor për të zëvendësuar kapitenin e saj dhe njëkohësisht të përfaqësueses franceze, Hugo Loris.
Në fakt, Loris është shfaqur në nivele të larta në vitet e fundit dhe vazhdon të jetë, por te Totenhem mendojnë për të ardhmen e kësisoj janë vënë në ndjekje të një portieri më të ri në moshë, duke u përgatitur për ditën kur rendimenti i 32-vjeçarit të fillojë të bjerë.
Ky interesim i bërë publik nga mediat italiane vjen pas atij të verës së kaluar nga Liverpul, i cili përfundoi duke zgjedhur Allison të Romës.
Kjo, pasi Lacio refuzoi çdo ofertë që i erdhi për portierin shqiptar, ndërsa edhe ky i fundit dukej i kënaqur në Itali dhe rinovoi kontratën e tij deri në vitin 2022. Por në klube e shohin se ky mirëkuptim mes palëve ka nevojë edhe për një shpërblim, sidomos duke parë se vlera e Strakoshës vazhdon e rritet, ashtu si përmirësimi dhe niveli i paraqitjeve të tij.
Ndaj pritet që së shpejti të rinegociohet marrëveshja e bashkëpunimit dhe të përmirësohet kontrata falë të cilës ai aktualisht përfiton 1 milion euro në vit, duke e rritur në nivelet e lojtarëve më të mirë të klubit italian, pergatiti Tema.