Kryeministri Rama ka dhënë një intervistë për median italiane La7, ku ka folur për Shqipërinë, tranzicionin, politikën e ditës në Tiranë, pritjen e shqiptarëve nga Italia në 1991 dhe integrimin e shqiptarëve në Itali.
Ai ka qenë në studio bashkë me Vittorio Sgarbi, i cili është një kritik arti, eseist, politikan, personalitet televiziv italian dhe disa gazetarë të tjerë.
Që në fillim të intervistës gazetarja rikujtoi faktin se Rama e shndërroi Tiranën në një qytet më të gëzueshëm dhe më me ngjyra.
Më tej, gazetarja rikujtoi me një kronikë Shqipërinë e 1991, për të kuptuar se ku jemi sot.
Rama u shpreh se ‘’ne ishim një rast totalisht unik sepse vinim nga një diktaturë që nuk na izoloi vetëm nga bota perëndimore, por edhe nga bota komuniste duke pretenduar që ishim të vetmit të mbanim farin e komunizmit të vërtetë, një lloj Koreje e Veriut e Europës. Duke parë imazhet, mendoj se janë pamje të jashtëzakonshme, por edhe të një historie fantastike të emigrimit dhe integrimit. Sot janë mbi 40 mijë sipërmarrje të vogla dhe të mesme shqiptare në Itali, që kontribuojnë në buxhetin italian në mënyrë të konsiderueshme. Domethënë është një integrim perfekt mes shqiptarëve dhe italianët sepse edhe kulturalisht jemi afër. Nga ana tjetër mund të kuptoj frustrimin e Italisë, pasi Italia ëshë lënë vetëm nga Europa dhe për sa kohë Europa nuk do ketë strategji të qartë, e jo thjesht të lajë duart si Pons Pilati për t’i lënë topin tjetrit, atëherë do ketë gjithnjë pakënaqësi të madhe.’’
/a.rada