Unioni i Eksportuesve Shqiptarë kanë reaguar përmes një deklarate lidhur me situatën politke në vend duke shprehur shqetësimin se kjo situatë do të ndikojë negativisht në sezonin e ardhshëm turistik.
Situata politike në vend duket se po tremb edhe Unionin e Eksportuesve Shqiptarë të cilët përmes një deklarate kanë shprehur shqetësimin se kjo situatë do të ketë një ndikim negativ për vendin, sidomos për sezonin turistik që po vjen. Në deklaratën e tyre ata shprehin kërkesën për zgjidhje e stabilitet të situatës në të mirë të vendit dhe integrimit në Europë.
Deklarata e plotë e Unionit të Eksportuesve shqiptarë
Unioni i Eksportuesve Shqiptar po ndjek me vëmëndje e shqetësim të thellë situatën politike, ekonomike e sociale të vendit – bojkot të institucioneve e proçeseve politike institucionale, dhunë reale e verbale kudo (në parlament, media e rrugë). Konstatohet se aktorë e faktorë në vend komentojnë si konseguenca të kësaj situate frenimin e proçeseve integruese të vendit e retorika të ngjashme me to – të cilat padyshim që qëndrojnë si shqetësime pasi integrimi është objektiv strategjik për vendin. Maksimumi i diskutimeve rreth çështjes, në termat e efekteve reale të drejpërdrejta në ekonomi, është se kjo situate do ketë ndikim të madh negativ në sezonin turistik të ardhshëm – që padyshim përbën shqetësim serioz. Mirëpo, Unioni i Eksportuesve Shqiptar ngre alarmin që aktorët e faktorët që kanë sjellë këtë situatë apo/dhe kanë detyrim për menaxhim e stabilitet të vendit, duhet: – të ekspozojnë realisht pasojat tejet negative tashmë të ndodhura për ekonominë, për eksportet, për investimet e reja me kapital vendas apo të huaj dhe për zhvillimin e vendit në përgjithësi, si dhe- të marrin përgjegjësi e angazhim konkret për të gjetur zgjidhje e stabilitet që të mos agravojnë më tej dhe të minimizohen këto pasoja.
Kjo situate me tendenca anarkiste e nxitëse konflikti ka eklipsuar çdo debat dhe procces në funksion të zgjidhjeve të problematikave të ekonomisë, përmirësimit të klimës së biznesit dhe nxitjes së investimeve e eksporteve. Evidentojmë për ilustrim se sipas statistikave, muaji i parë i vitit u mbyll me 7.3% rënie të eksporteve krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2018 – tendencë e cila nëse vijon edhe më tej do impaktojë drejpërdrejtë në moshapjen e vendeve të reja të punës, rënien e investimeve nga sektori më vital i ekonomisë. Gjithashtu, krahas problemeve të zhvlerësimit të euros, mungesës së fuqisë punëtore dhe mosrimbursimit të TVSH-së, po t’i shtohet dhe destabiliteti, do ishte fundi i eksportuesve dhe fasoneve. Asgjë dhe asnjë shkak nuk mund të justifikojë kaosin, anarkinë dhe vandalizmat apo nxitjen e tyre – që bashkëshoqërojnë konfliktet sociale, siç ka ndodhur gjithnjë në vendin tonë kur ka patur të tilla dinamika.
Goditja e iniciativës dhe e besimit të sipërmarrjes se ‘në këtë vend mund të bëhet biznes qetësisht’, ku siguria e pronës dhe kapitalit ‘nuk rrezikohet nga dinamika rrevulocionare apo zhvleresimi i proçeseve institucionale’ do e dëmtojnë drejpërdrejtë dhe në afatgjatë zhvillimin e shpresën për zhvillim të këtij vendi.Situata ku prona dhe sipërmarrësit do të jenë të kërcënuar, do bëjë që këta të fundit (vendas apo të huaj) të largohen në mënyrë definitive nga çdo ide e projekt zhvillimi këtu, e madje edhe nga Shqipëria – ndoshta edhe definitivisht(!), nën efektet e idiomës pesimiste se ‘ky vënd nuk bëhet’!