Deputetët e opozitës kanë depozituar në Kuvend deklaratën për dorëheqjen nga mandati i tyre. Por ndonëse ka më shumë se 10 ditë nga ndërmarrja e këtij hapi, zyrtarisht ky proces nuk ka përfunduar.
Aktualisht janë vetëm katër deputetë të opozitës të cilët kanë përfunduar procesin e dorëzimit të detyrës dhe është bërë zëvendësimi nga KQZ.
Në fakt janë emra nga LSI dhe jo me shumë peshë në spektrin politik, ndërkohë që procesi i dorëzimit të detyrës për “peshat e rënda” si Basha, Berisha dhe Kryemadhi nuk ka filluar.
Më shumë se vonesë për shkak të procedurës, kjo duket si një strategji. Por çfarë mund të jetë duke ndodhur larg syrit të publikut?
Neni 164 i Kodit Zgjedhor (i ndryshuar me ligjin nr. 74/2012) përcakton qartë se mandati i deputetit, i fituar sipas neneve 162 dhe 163 të këtij Kodi, ndërpritet vetëm për shkaqet e parashikuara në nenin 71 të Kushtetutës. Nuk përbëjnë shkak për ndërprerje të mandatit marrëveshjet apo deklaratat paraprake individuale apo kolektive për heqje dorë nga mandati. Në rastin e shkronjave “a” dhe “b” të pikës 2 të nenit 71 të Kushtetutës, deputeti deklaron në mënyrë publike përpara komisionit përkatës të Kuvendit refuzimin për të bërë betimin ose heqjen dorë nga mandati, raporton tirananews.al.
Në këtë rast Kuvendi, jo më vonë se 30 ditë, njofton KQZ-në për krijimin e vakancës.
Pra qartësisht deputeti do të duhet të paraqitej para Këshillit të Mandateve për të bërë publikisht refuzimin e mandatit. Por burime për tirananews.al bëjnë me dije se një gjë e tillë nuk ka ndodhur, por ka qenë Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit që deklaratat individuale të deputetëve ia ka përcjellë direkt KQZ për të shpallur vakancën duke e bërë fakt të kryer. Pra nëse pas një farë kohe gjendet një zgjidhje politike, atëherë mazhoranca mund të shprehet se zëvendësimi i deputetëve aktualë është bërë në kundërshtim me ligjin se nuk është mbledhur Këshilli.
Ndërkohë, truku tjetër është se zëvendësimi i tyre nuk është bërë sipas radhës duke nisur fillimisht me dorëzimin e mandateve nga deputetët me më pak peshë politike. Në këtë mënyrë shpëtojnë mandatet e Bashës, Berishës dhe Kryemadhit, edhe pse janë të parët në listat që duhen zëvendësuar, raporton tirananews.al.
Pra, mazhoranca i ka dhënë ende kohë drejtuesve kryesorë të opozitës me shpresë se nga negociatat që mund të bëhen, ata të vendosin të tërhiqen dhe të rikthehen sërish në Kuvend.
/L.T