Lefter Maliqi ka dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve formularin e dekriminalizimit, duke i hapur kështu rrugë marrjes së mandatit.
Maliqi kandidoi me Partinë Demokratike në Berat, ndërsa një vit më parë u emërua nga mazhoranca si zv.Drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve.
Edhe pse Maliqi nuk e ka pranuar më parë se do ta marrë mandatin, me vendimin e sotëm ai vijon kundërshtitë ndaj lidershipit të Bashës, shkruan JavaNews
Gjatë fushatës së vitit 2017, ai deklaroi mbështetjen për Partinë Socialiste, pavarësisht se figuronte i treti në listën e PD-së.
Maliqi bëhet kështu i pari kandidat nga selia blu që kërkon mandatin e deputetit, duke zëvendësuar kështu Astrit Veliajn. Ky i fundit mori mandatin e Eduard Halimit pas dorëheqjes së papritur.
Më herët Myslim Murrizi dhe Rudina Hajdari nuk pranuan dorëzimin e mandateve, ndërsa nga radhët e LSI janë sëpaku katër emra që nuk i binden vendimit të partisë në fjalë.
Lefter Maliqi ka qenë edhe më parë deputet i Partisë Demokratike, në Legjislaturën VII të Kuvendit të Shqipërisë. Ai ka mbaruar Akademinë e Rendit dhe të Mbrojtjes. Maliqi ka qënë shef policie në disa qytete të Shqipërisë si dhe pedagog në Akademi.
/javanews/a.rada