Liderë institucionalë e politikë të Kosovës urojnë Tuzin për fitoren e shqiptarëve në zgjedhjet e së dielës.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi vlerëson se, rezultati i zgjedhjeve në Tuz është fitore mbarëshqiptare. “Është shembulli më i mirë se çfarë mund të arrijnë shqiptarët kur janë të bashkuar rreth një ideali. Urime Forumit Shqiptar!”, shprehet ai.
Kryeministri i Kosovës e kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj deklaroi se, bashkimi në koalicion i subjekteve politike shqiptare fitoi të drejtën për të qeverisur me Tuzin. “Një shembull i shkëlqyer se uniteti i faktorit shqiptar sjell suksesin. Urime shqiptarëve të Tuzit për këtë fitore historike!”, tha ai.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh lider i PDK-së, Kadri Veseli, ka uruar të gjithë shqiptarët për fitoren në Komunën e Tuzit në Mal të Zi.
Veseli thekson se kur bëhen bashkë shqiptarët, gjithmonë fitojnë dhe arrijnë aty ku duan.
“Fitorja e sotme e shqiptarëve në Tuz është mesazh për shqiptarët kudo që janë: Kur bëhemi bashkë, arrijmë aty ku duam. Gjithmonë. Urime!”, ka shkruar kryeparlamentari i Kosovës, Veseli.
/a.rada