Një numër i madh protestuesish janë mbledhur ne qytetin verior të Italisë, Milano, për të protestuar kundër racizmit. Organizatorët e protestës kanë thënë se në të kanë marrë pjesë rreth 200 mijë njerëz.
Protesta u mbajt në rajonin e Lombardisë, ku partia populiste “Lidhja” ka mbështetje të fuqishme. Aktivistët që morën pjesë në këtë tubim thanë se qeveria po e nxit frikën dhe urrejtjen për t’i thelluar ndasitë. Në anën tjetër, zëvendëskryeministri italian dhe kryetari i partisë “Lidhja”, Matteo Salvini, thotë se politikat e reja qeveritare për imigracionin do ta bëjnë Italinë shtet më të sigurt.
Në shtator të vitit të kaluar, qeveria e kishte miratuar një rregullore që e bën më të lehtë deportimin e imigrantëve dhe heqjen e shtetësisë së tyre në rastet kur ata kryejnë krime serioze. Që nga ardhja në pushtet e qeverisë aktuale, Italia është përpjekur t’i mbyllë portet për anijet me imigrantë që kalojnë përmes Detit Mesdhe.
Protestuesit marshuan në rrugët e Milanos me parullën “Njerëzit në rend të parë”, ndërsa organizatorët thanë se diversiteti i popullsisë është thesar kulturor. “Ne duam që Italia dhe Evropa t’i ndryshojnë politikat dhe t’i vendosin njerëzit në qendër”, tha një protestues, shkruan “BBC”.
/a.meta