Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra, ka shpërthyer në akuza të rënda pas shpalljes së kreut të ri të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Si pjesë e garës, ai ka dalë i dyti në votim, ndërkohë që kreu i ri i KMSH u shpall Bujar Spahiu me 59 vota.
Në një deklaratë për mediat, jashtë selisë së KMSH, e në mbyllje të procesit ai ka folur pa emra konkretë për kapje të institucionit, nga organizma okulte.
“Unë nuk jam ushtar i askujt, as majtas, djathas, në Anadoll e gjetkë. Sot ne kemi një organizëm okult, ata që i kanë imponuar KMSH mënyrën e zgjedhjes së anëtarëve, por edhe katapultimin e titullarit”- tha ai.
Sipas tij, zanafilla është që në 8 mars të 2014, kur KMSH iu katapultua nga këto organizma okult një kryetar.
“Në presionin e atëhershëm, tani iu imponua një titullar i cili në 5 vite jo vetëm ne por edhe ju keni pa asgjë në komunitet, humbje të tërë pronësish duke filluar nga qendra e Tiranës, duke përjashtuar myftininë Tiranë, pra pasoja për jetën dhe mbijetesën e shërbëtorëve të parë, hoxhallarët nga Tirana e në cdo myftini tjetër. Pas kësaj, kemi një faturim mbi KMSH të barrëve që nuk i takojnë, edhe ato pak të ardhura kanalizohen në mënyrë të paditur jashtë objektivave që ka komuniteti”- tha ai.