Një talent i njohur botërisht viziton vendin tonë për të tretën herë. E kujton edhe sot Shqipërinë e viteve ’78 arkitekti i njohur në skenën ndërkombëtare Massimiliano Fuksas. Ndërsa, kësaj here ka ardhur në Tiranë i ftuar nga SHARE architects për të rrëfyer eksperiencën e tij, në realizimin e dhjetëra projekteve të mëdha për arkitektët shqiptarë. Fuksas shprehet se e kujton Tiranën e vjetër si një vend bardh e zi, ndërsa sot plot ngjyra që rend drejt modernes.
“Kujtoj një vend bardh e zi, pa ngjyra. Ndërsa tani vendi ka ngjyra. Asokohe ishte një vend që kishte diçka shumë poetike, thuajse hasje neorealizmin italian, me kuajt, jaseminët, me njerëz të bukur, fytyra shumë të bukura. Vendi atëherë dukej si Italia e dikurshme, si Italia e viteve ’50”, u shpreh Fuksas për Report tv. I pyetur se si e sheh Tiranën e sotme, ai shprehet i bindur se është një tjetër qytet modern.
“Po del një qytet shumë i bukur, i pasur me ide. Tirana tanimë po bëhet një qytet tjetër, modern, bashkëkohor… Le të presim dhe 10 vite të tjera dhe do të jetë e jashtëzakonshme. Unë pashë kantieret e ndërtuara në stadium dhe m’u duk një projekt shumë interesant ai i stadiumit që po ndërtohet. Me të vërtetë shumë interesant”, deklaroi Fuksas.
/a.meta