Klubet e Premier League janë disa prej më të pasurave në botë. Natyrisht, vendin e parë jo vetëm në Angli por në të gjithë botën e ka mbajtur për shumë e shumë vite Mançester Junajtid, i cili ka thithur shumë kompani financimi dhe ka mundur të ruajë profil të lartë të ardhurash. Por nuk janë vetëm “djajtë e kuq”, pasi edhe klubet e tjera angleze si Liverpuli, Arsenali, Çelsi, Mançester Siti, Totenhemi e ndonjë tjetër kanë mundur të radhiten ndër top-20 klubet më të pasura në botë, madje klubet angleze janë shumica në 10-shen e parë, ndërsa jashtë Anglisë rivalizojnë me Realin e Barçën, por edhe Bajernin e Mynihut, Juventusin dhe Paris San Zhermen.
Së fundmi, një surprizë e madhe ndodh me një klub të Premier League angleze, një surprizë që lidhet me sponsorizimin. Kështu, Mançester Siti nënshkroi me “Puma”-n, kompaninë e famshme të veshjeve sportive, një kontratë “faraonike”, nga e cila do të përfitojë plot 750 milionë euro në dhjetë vitet e ardhshme. Kemi të bëjmë me zgjedhjen e kësaj kompanie për të maksimizuar të ardhurat, pavarësisht se vetë Siti shquhet si klub miliarder, sepse e sponsorizon një sheik arab dhe ky klub asnjëherë nuk ka vuajtur mungesën e parave. Megjithatë, mediat britanike shkruajnë se, sikur të mos mjaftonin miliardat e sheikut Mansur bin Zayd Al Nahyan, në arkat e Mançester Sitit do të derdhen lumenj të tjerë me para. Klubi anglez ka zyrtarizuar marrëveshjen me sponsorin e ri teknik, Puma, për 10 vitet e ardhshme, për një total prej 750 milionë eurosh, pra 75 milionë në sezon.
Sponsori paraardhës, “Nike”, u jepte “Sitiziens” vetëm 24 milionë euro në vit, çka do të thotë se më marrëveshjen e re kemi trefishim të shumës totale që përfiton klubi anglez. Mes futbollistëve të Siti “Puma” ka kontrata individuale me emra të tillë si Kompany, Aguero dhe Silva, por kompania e njohur gjermane e veshjeve sportive synon të arrijë marrëveshje edhe me Sane dhe De Bryjne. Kontrata më fitimprurëse se Mançester Siti me sponsorët teknike kanë vetëm Barcelona (116 milionë euro në sezon me “Nike” 2018-2028) dhe Mançester Junajtid (88 milionë euro në sezon me Adidas 2015-2025). Jo e gjithë shuma do të shkojë në arkat e klubit pasi në fakt marrëveshja është arritur edhe për 4 klubet e tjera që janë në pronësi të pronarëve të Mançester Sitit, më saktësisht Melburn Siti në Australi, Zhirona në Spanjë, Klub Atletiko Torke në Uruguaj dhe Jokohama Marinos në Japoni. Megjithatë, nga e gjithë shuma prej 65 milionë paund pjesa e luanit do të shkojë për skuadrën e trajnerit Pep Guardiola.
Pas “qytetarëve”, vijnë edhe ekipet londineze, Çelsi dhe Arsenal të cilat përfitojnë 60 milionë paund nga sponsorizimet, përkatësisht me Nike dhe Puma, por në këto raste, ndryshe nga Siti, e gjithë shuma shkon ekskluzivisht në arkat e klubeve. Mbetet të shihet se si do ta menaxhojë Mançester Siti këtë shumë të rëndësishme për klubin, e cila në një sezon është e barabartë me shpenzimin për një futbollist cilësor dhe kjo nuk është pak.
/a.rada