Lulzim Basha ka folur ditën e sotme nga Shkodra, në përfundim të takimit me strukturat e PD.
Kreu i Partisë Demokratike tha se Shkodra i ka paraprirë rrugës drejt Bashkimit Evropian, por sipas tij kjo rrugë është e vështirë dhe e dhimbshme.
I pyetur për deklaratat e Delegacionit të Parlamentit Europian, Lulzim Basha u përpoq të mos jepte një përgjigje.
Ai tha se nuk komenton deklaratat e miqve të huaj dhe se rrugën drejt Evropës e pengon krimi dhe korrupsioni.
“Nuk komentoj kurrë deklaratat e miqve të huaj. Kemi 3 dekada që udhëtojmë drejt Evropës. Ky është një rrugëtim i dhimbshëm, por është rruga e vetëm që do ta çojë Shqipërinë në Evropë dhe drejt mirëqenies. Në këtë rrugëtim është radha jonë të bëjmë këtë sakrificë sepse ne luftojmë për vlerat e Evropës. Rrugën drejt Evropës e pengon krimi dhe korrupsioni. Nuk shkohet me gënjeshtra, por me vlera. Pengesa kryesore për integrimin në BE është Shqipëria si Kolumbia” – tha Basha.
I pyetur nëse Kuvendi aktual është legjitim, Basha u shpreh se deputetët nuk përfaqësojnë më qytetarët.
“Sot nuk ka më Parlament. Sot ka një bandë ku një në tre deputetë përfaqëson Niçet dhe Bajrët. Hapat e mëtejshëm të opozitës janë me qytetarët dhe për qytetarët. Ne do të vazhdojmë sëbashku me sovranin dhe do të gërshetojmë protestas, mosbindjen civile dhe të gjithë aktet e tjera” – tha Basha.
/a.rada