Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka folur sot në përfundim të seancës te Krimet e Rënda.
Ai u shpreh para mediave se akuzat ishin të rënda, teksa ironizoi duke u shprehur se renditet i dyti pas Aldo Bares.
“Pavarësisht nxitjes që kam nga brenda për t’u marrë me Drejtësinë, unë do ta respektoj deri në fund. Unë do të vazhdoj t’i shkoj deri në fund çështjes. Prokuroria është e komanduar” – tha Tahiri.
Ish-ministri tha se historia e tij lindi si proces politik, raporton JavaNews.al
“Kam parasysh politikën, krimin dhe drejtësinë që janë bashkë, siç është Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë. Unë nuk kam parë asnjë provë të re sot” – tha Tahiri.
I pyetur nëse ka frikë nga një arrestim i mundshëm, ai u shpreh se nuk i intereson veprimi i Prokurorisë, por e vërteta.
Teksa u pyet për mesazhet e tij në deklarata, Saimir Tahiri u shpreh se nuk ka folur kurrë me nënkuptim.
“E vërteta ime është e kundërta e asaj që mendon Prokuroria. Një Prokurori shumë serioze si ajo e Antimafias italiane më dhanë të drejtë. Ndërsa për Prokurorinë këtu do të isha i arrestuar sot” – tha ish-ministri Tahiri për mediat.
Ai tha se nuk disponon materiale kompromentuese për politikanët, shkruan JavaNews.al
“Këtij vendi të vogël i mjafton Baba Taku me çantën e zezë” – tha ai.
I pyetur nëse i ka kuptuar mesazhet e Edi Ramës si një kërkesë ndjese ne distancë, Saimir Tahiri tha se nuk i duhet mbështetja e askujt.
/javanews/a.rada