Pas përfundimit të takimit që patën me Lulzim Bashën e Monika Kryemadhin nga opozita dhe Sandër Lleshin nga mazhoranca, 7 eurodeputetët e dërguar në Tiranë, sot kanë mbajtur një konferencë për shtyp.
Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein, foli me tone të ashpra veçanërisht për kryetaren e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi.
Ai tha se në takimin e djeshëm, Kryemadhi ka thënë vetëm një fjali në fund, dhe shihej qartë se ajo nuk kërkonte as negociata dhe as dialog.
Fleckenstein u shpreh se në takim foli vetëm kryedemokrati Lulzim Basha.
“I kuptojmë argumentet e tij, por edhe sikur opozita të ketë të drejtë në lidhje me akuzat, bojkoti i Kuvendit nuk do të zgjidhë problemin
U zhgënjeva nga kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, sepse tha vetëm një fjali në fund.
Ajo na tha që ata e kanë marrë vendimin e tyre, se në Shqipëri ka nevojë për ndryshim pushteti, dhe nëse europianët nuk e kuptojnë këtë gjë, ky nuk është problemi i tyre”, tha Fleckenstein.
Sipas tij, kjo sjellje nuk është e denjë për “Zonjë të parë” të shtetit.
Ai tha se nuk ka asnjë diskutim që Parlamenti do të funksionojë, qoftë edhe pa anëtarë të rinj.
Fleckenstein tha se do të shikojnë se si do të vijojë procesi, pra nëse kandidatët e tjerë në lista do të pranojnë mandatin.
“Nuk kemi dyshim që ky Parlament do të vazhdojë rrugëtimin e vet, ndoshta edhe me anëtarë të rinj.
Do të shikojmë se cili do të jetë vendimi i qershorit.
Opinioni ynë me një mazhorancë shumë të madhe ka qenë i qartë si kristali, dhe nuk ka arsye pse duhet ndryshua ky vendim”, u shpreh ai.
/a.rada