Ashtu si pas humbjes së zgjedhjeve, kur deputetët e PD-së sulmonin qytetarët pse kishin votuar Edi Ramën, edhe këtë radhë, kur PD dhe LSI kanë nisur “revolucionin” e tyre përfundimtar, kanë nisur të sulmojnë qytetarët, pse nuk iu bashkohen në protestë.
Gent Strazimiri ka shkruajtur një letër për ata që nuk iu janë bashkuar protestës, duke iu thënë se duhet t’ju vijë turp.
Letra e Strazimirit
Kur s’njeh turpin!
Ti, që “të vjen turp” nga Shqipëria që proteston për demokraci përballë parlamentit të rrethuar me tela me gjemba, duhet të ishe turpëruar ditën kur more vesh që vullneti i Shqipërisë ishte përdhunuar nga “gjushët” , “gjiknurët” e “niçet” në orgjira sado-mazo me regji të “Rilindjes” …
Ti, që “të vjen turp” nga Shqipëria që i qëndron përballë gazit helmues dhe nuk dorëzohet, duhet të ishe turpëruar ditën kur parlamenti i “gjushëve” u vetë-rrethua me tela me gjemba e policë nga frika e popullit.
Ti, që sot “turpërohesh” nga mungesa e dialogut midis Shqipërisë që nuk dorëzohet dhe “gjush-qeverisë” , duhet të ishe turpëruar ditën kur more vesh që “gjush-qeveria” dialogonte me sukses me krimin e organizuar, trafikantët e drogës e vrasësit për të fituar “tepsinë” !
Ti që të “turpëron” fakti i trishtë që në parlament nuk ka më debat intelektual alternativash, duhet të ishe turpëruar ditën kur more vesh që 19 “rilindas” nga 64 gjithsej, nuk vinin nga auditoret e bibliotekat, por nga burgjet e gjysmës së Evropës…
Ti, që sot ndjehesh “i turpëruar” nga retorika shpesh e rënduar e opozitës, si përgjigje e reagim, duhet të ishe turpëruar atë ditë kur kryeministri ndyu sallën e parlamentit me “batutën” e parë, ditën e parë kur foli si kryeministër, për shkak të votës që ti i dhe si “ndryshim” .
Ti, që sot ndjehesh “i turpëruar” se “imazhi i vendit” është përkeqësuar në Evropë, duhet të ishe turpëruar ditën kur gazetat e Evropës publikuan shifrën e parë të eksodit të ri të shqiptarëve, së bashku me fotot e tyre nëpër çadra të ndyra në pritje të një shansi për të rrezikuar edhe jetën e fëmijëve te tyre vetëm për të mbërritur diku në Angli… pa adresë e as plan.
Ti, që sot nga “turpi” që ndjen se Evropa po merr vesh që ka një Shqipëri që refuzon të emigrojë por që lufton për të mos u përzënë nga shtëpia prej qeverisë së dale “nga influenca e Niçes, Habilajve, Agron Xhafajve”, duhej të ishe turpëruar ditën kur për shkak të Edi Ramës e sajmirtahirëve të tij, vendi yt meritoi emrin aspak gazetaresk ” Kolumbia e Evropës”!
Ti, që nuk u turpërove asnjë dite, që nga ai 12 shtatori i vitit 2013, ti nuk e njeh turpin!
Ti, mund të kesh shkollë e të kesh lexuar e shkruar libra pa fund!
Ti, mund të krenohesh për aftësi intelektuale e politike, por psherëtima e “të moderuarit” që nxjerr sot, nuk të shpëton dot nga klithja e heshtjes tënde bashkëpunuese 6 vjeçare.
Ti, që sot “po humbet durimin” e që shqetësohesh se po na ikën një shans tjetër për t’u bërë “evropianë”, je shembulli më i gjallë i prapambetjes intelektuale të kësaj shoqërie të atrofizuar në reagim deri në nivelin e primitivizmit.
Ti nuk e njeh turpin!
Ti je turpi vetë, kudo ku ndodhesh, kurdo ku ke heshtur, e në çdo rast kur ke “përtuar” të reagosh sepse prisje diçka nga qeveria e “gjushit”, sepse “s’të frymëzonte Luli”, sepse kishe “frikë” se mos padashje bëheshe “demokrat”, apo “donatorët” e projektit në ambasadë “nuk ta këshillonin” reagimin…
Ti sot hesht!
Nëse nuk hesht dot, kërko thjesht falje dhe rrjeshtohu me Shqipërinë që rri në këmbë!
Rri diku aty nga fundi, se mbase kupton se ç’do të thotë dinjitet, e fillon të bëhesh i denjë për një shoqëri që pikë referimi ka Evropën, jo ambasadat e saj në Tiranë!!!
E.Xh./