Preg Gjergj Lalaj është një prej personave të ndaluar dhe proceduar për aktet e dhunës dhe vandalizmit të regjistruara ditën e mërkurë pranë Parlamentit.
Megjithatë, krahasuar me ato që Lalaj di të bëjë, lëshimi i disa gurëve dhe goditja e efektivëve të policisë duket si një “lojë fëmijësh”.
Pak kohë më parë, siç raportonte Policia e Shtetit, 52-vjeçari u ndalua nga forcat e Policisë në rrugën “Myslym Shyrri”, në qendër të Tiranës, duke drejtuar në mënyrë të papërgjegjshme një mjet të llojit “Hummer”, me targa amerikane “USA 3 L”.
Ndalimi ndodhi gjatë orëve të vona të natës.
Gjatë kontrollit, Lalajt iu gjet në flagrancë një pistoletë e llojit TT, pa leje dhe një krehër me shtatë fishekë.
Ajo që bie në sy, tek 52-vjeçari me banim në Mamurras është që pavarësisht se deklarohet zyrtarisht si i papunë, arrin t’i lejojë vetes një stil jete tepër luksoz, që përfshin edhe zotërimin e një automjeti si “Hummer”, me një çmim bazë prej 100 mijë dollarësh.
Fotot e tij në rrjete sociale konfirmojnë këtë stil vërtet luksoz jete.
Burimi i pasurisë së Lalajt mbetet i panjohur.
Duket se “papunësia” e ka shtyrë që të bëhet pjesë e lëvizjes opozitare, duke tentuar të krijojë kaos dhe dhunë në mes të Tiranës.
Midis të ndaluarve, bie në sy edhe një person që ka qenë i përfshirë në vetë listat e Partisë Demokratike.
Gjovalin Laska, i vetmi person me arsim të lartë midis të ndaluarve të ditës së martë, është kandiduar si këshilltar i Bashkisë së Lezhës, nën siglën e Partisë Demokratike.
Mes të ndaluarve figurojnë edhe dy vëllezër, Armando dhe Ermal Shkalla.
Të dy figurojnë si të vetpunësuar pranë një lavazhi në Vaqarr.
Megjithatë, edhe ata, në rrjetet e tyre sociale shfaqin fotografi të një stili jetese aspak të përshtatshëm për një person që siguron me vështirësi bukën e gojës.
Të dy mbështetësit e Bashës kanë postuar fotografi me makina të shtrenjta luksi apo në udhëtime të ndryshme.
Ndërsa 20-vjeçari Besmir Pula, me arsim tre klasë fillore, i dënuar për vjedhje, gjithashtu i ndaluar për pjesëmarrjen në këtë protestë, është gjithashtu një militant i regjistruar në radhët e Partisë Demokratike. Tema/
E.Xh./