“Pakistani ka qëlluar dhe rrëzuar dy avionë të forcës ajrore indiane në hapësirën e tij ajrore në Kashmir, të mërkurën”, tha një zëdhënës i ushtrisë duke shtuar se një nga pilotët indianë është arrestuar.
Forcat ajrore pakistaneze kanë qëlluar dy avionë indianë brenda hapësirës pakistaneze, tha në një postim në Tëitter zëdhënësi i ushtrisë, Asif Ghafoor, duke shtuar se një avion ka rënë në Kashmirin e kontrolluar nga Pakistani, ndërsa tjetri në anën indiane.
“Një pilot indian është arrestuar nga trupat në terren”, tha zëdhënësi, pa dhënë detaje të tjera.
Si India, ashtu edhe Pakistani pretendojnë Kashmirin, por kontrollojnë vetëm pjesë të tij. Fuqitë bërthamore kanë luftuar tre luftëra që nga pavarësia nga Britania e Madhe në 1947. Dy prej tyre kanë qenë për Kashmirin.
Sulmet ajrore përgjatë linjës së kontrollit që ndan territorin indian nga ai pakistanez janë të parat që nga lufta e 1971. Ato pasojnë një sulm militant në Kashmir që i mori jetën 40 trupave indiane, më vdekjeprurëse i një rebelimi që zgjat prej tre dekadash kundër sundimit indian në Kashmir.
Një grup me bazë në Pakistan thotë se e ka kryer sulmin.