Kryetarja e PS për Tiranën dhe njëherësh deputetja socialiste Blerina Gjylamenti ashtu sikurse kryeministri Edi Rama shprehet se mazhoranca do të vijojë jetën politike edhe në mungesë të opozitës në Parlament, pasi kjo e fundit vendosi të djegë mandatet.
Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Gjylameti ka deklaruar se vendimi i opozitës për të dalë nga Parlamenti vjen si pasojë e reformës në drejtësi dhe sondazheve parazgjedhore që i nxjerrin humbës. Po ashtu deputetja theksoi rëndësinë e dialogut, por sipas saj brenda rregullave.
Ndërkohë, deputetja është pyetur edhe nëse do të jetë Erion Veliaj sërish kandidat i PS për bashkinë e kryeqytetit. Lidhur me këtë Gjylameti vlerësoi punën e Veliajt duke u shprehur se Tirana ka ndryshuar, ndërsa theksoi se analiza nga strukturat mbi performancën e gjithësecilit nga kryebashkiakët do të përcaktojë edhe kandidaturën e duhur
‘Unë mendoj se Tirana ka ndryshuar jashtëzakonisht. Këtë e dëgjoj në çdo takim me qytetarët dhe jo vetëm e dëgjoj, por shoh edhe bilancin e krahasimit, që ata bëjnë me atë që ishte dhe atë që është. Tirana sot rreshtohet në kryeqytetet me një nivel në rritje të standardit europian dhe kjo falë punës së madhe të Bashkisë së Tiranës dhe mbështetjes së qeverisë socialiste. Analiza nga strukturat mbi performancën e gjithësecilit nga kryebashkiakët do të përcaktojë edhe kandidaturën e duhur”, tha Gjylameti.
E.Xh./