Kryetari i pezulluar i Gjykatës së Apelit të Durrësit, Petrit Çeno do të përballet të hënën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Trupa gjykuese që po kryen procesin e vetingut për të përfaqësohet nga Etleda Çiftja, Lulzim Hamitaj dhe Olsi Komici.
Petrit Çeno është i pari zyrtar i drejtësisë që po kalon në veting, ndërkohë që është nën hetim për korrupsion pasiv. Ai e ka filluar karrierën në vitin 1992 dhe ka punuar si gjyqtar dhe më pas si kryetar i Gjykatës së Apelit Durrës prej më shumë se 15 vitesh.
Në nëntor 2013, Çeno u dekretua nga Presidenti i Republikës si anëtar i Gjykatës së Lartë, por dekreti u rrëzua nga votat e mazhorancës në Parlament.
Ndërsa në vitin 2015, Prokuroria e Krimeve të Rënda nisi një procedim penal ndaj Çenos dhe dy gjyqtarëve të tjerë, të cilët u akuzuan se kishin përfituar një udhëtim falas në Madrid nga një biznesmen, palë në një proces gjyqësor, për të parë ndjeshjen mes Real Madrid-Barcelonës.
Në shkurt 2018, Prokuroria e Krimeve të Rënda i mori të pandehur tre gjyqtarët, ndërkohë që Këshilli i Lartë i Drejtësisë i pezulloi nga detyra. Aktualisht, çështja është në pritje të zbardhjes së përgjimeve për t’u dërguar në gjykatë.
Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të gjyqtarit Petrit Çeno nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF].
Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.
Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se Çeno deklaronte pasuri familjare me vlerë 600 mijë lekë në vitin 2003. Referuar deklaratës së tij të parë të dorëzuar në ILDKPKI, familja e tij zotëronte 6 mijë metra tokë në Golem si dhe dy apartamente, por në asnjërën prej këtyre pronave nuk rezulton të jetë deklararuar vlerë financiare. Ai deklaron gjithashtu pronësinë e një automjeti të blerë për 600 mijë lekë.
Në fund të vitit 2017, pasuria familjare e Petrit Çenos është rritur me 59 herë, duke kapur vlerën e 35.9 milionë lekë. Pasuritë e paluajtshme përbëjnë pjesën kryesore të aseteve me vlerë 25.4 milionë lekë. Familja Çeno deklaron gjithashtu kursime të akumuluara në cash prej 5.1 milionë lekësh, llogari bankare prej 3 milionë lekësh dhe automjete me vlerë 2.2 milionë lekë. Gjithashtu, djali i gjyqtarit zotëron pjesë në kapital me vlerë 50 mijë lekë.
Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 68.7 milionë lekë. Por paga nga funksioni i gjyqtarit dhe ato të familjarëve zënë vetëm 40% të të ardhurave. Pjesa tjetër prej 28.5% e të ardhurave kanë si burim biznesin e bashkëshortes, e cila ka qenë aksionere në një agjenci doganore, ndërsa 31% e të ardhurave kanë si burim shitjen e pasurive të paluajtshme.
Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. Nga 14 deklaratat që iu nënshtruan kontrollit aritmetik/logjik, njëra prej tyre rezultoi me pamjaftueshmëri burimesh financiare.
Më konkretisht, në vitin 2011 gjyqtari Çeno deklaronte se kishte paguar 30 mijë euro për blerjen e një apartamenti në Golem, me burim kursimet e vitit 2008-2010. Kursimet kanë qenë të pamjaftueshme për të mbuluar investimin me diferencë negative prej 825 mijë lekësh.
BIRN ka identifikuar gjithashtu një sërë “flamujsh të kuq” në këtë analizë, të cilat lidhen më së shumti me një kontratë sipërmarrjeje për ndërtimin e një pallati në tokën e zotëruar nga bashkëshortja e gjyqtarit Çeno në Golem, mosdeklarim investimi në agjencinë doganore me aksionere bashkëshorten si dhe me vlerat e konsiderueshme të parave që i janë dhënë kompanisë minerare me aksioner djalin e Çenos.
Deklarime të pamjaftueshme janë evidentuar gjithashtu edhe me dy apartamentet e zotëruara që në vitin 2003, ku mungon çmimi i blerjes.
Në vitin 2003, gjyqtari Çeno deklaronte se bashkëshortja e tij ishte pronare e 6 mijë metrave tokë në Golem, e përfituar nga ajo si ish-punonjëse e Ndërmarrjes Bujqësore. Në vitin 2009, ajo ka dhënë një pjesë të sipërfaqes së tokës për ndërtim në këmbim të 23% të sipërfaqes së ndërtuar ose mbi 700 m2 ndertim. Nga kjo kontratë sipërmarrjeje, familja e gjyqtarit ka përfituar një dyqan, një garazh dhe pesë apartamente, të cilat janë shitur pjesërisht.
Gjithashtu, bashkëshortja e gjyqtarit ka kaluar 60 mijë euro në formë investimi në kompaninë e të birit “Heavy Industries” [sot Balkan Mineral Invest me aktivitet në Selenicë] në vitin 2016, ndërkohë që një kredi prej 80 mijë eurosh e marrë për strehim në vitin 2012 ka kaluar gjithashtu për llogari të kësaj kompanie.
BIRN ka identifikuar gjithashtu se familja Çeno ka mbajtur shuma të konsiderueshme monetare jashtë sistemit bankar, me të cilat ka kryer transaksione pronash. Në fund të vitit 2017, bilanci i kursimeve të akumuluara në cash rezulton rreth 5.1 milionë lekë, e cila është disa herë mbi kufirin e lejuar ligjor prej 1.5 milionë lekësh.
Deklarata e pasurisë së vitit 2003
Deklarata e pasurisë së vitit 2004
Deklarata e pasurisë së vitit 2005
Deklarata e pasurisë së vitit 2006
Deklarata e pasurisë së vitit 2007
Deklarata e pasurisë së vitit 2008
Deklarata e pasurisë së vitit 2009
Deklarata e pasurisë së vitit 2010
Deklarata e pasurisë së vitit 2011
Deklarata e pasurisë së vitit 2012
Deklarata e pasurisë së vitit 2013
Deklarata e pasurisë së vitit 2014
Deklarata e pasurisë së vitit 2015
Deklarata e pasurisë së vitit 2016
Deklarata e pasurisë së vitit 2017