Ultras Guerrils ka reaguar për sa i përket incidentit të ndodhur ditën e djeshme me fotografin e Flamurtarit kur 2 tifozë e sulmuan atë duke kaluar rrethimin. Andi Ribaj ishte ai që e “pësoi” nga e gjitha kjo pasi u ndëshkua me karton të kuq nga arbitri për shkak të reagimit që bëri.
Në një postim në “Facebook” reagon edhe grupimi i famshëm i të kuqve. “Detyra jonë është mbështetja e Partizanit dhe në rastin e mosarritjes së rezultatin, ajo rritet, por në asnjë mënyrë, pavarësisht emocioneve nuk mund të lëmë mënjanë detyrën tonë kryesore dhe të përfshihemi në incidente për shkak të provokimit. Shprehim gatishmërinë tonë për të paguar gjobën që parashikon rregullorja për kartonin e kuq ndaj Ribajt, sepse ishte i pamerituar dhe për korrektësinë që ai shfaqi”.
Ndërkohë grupimi ka reaguar edhe në faqen tij zyrtare. “Një rast sporadik nuk duhet të përdoret për të etiketuar gjithë tifozerinë e Partizanit”, thekson në postimin e bërë “Ultras Guerrils 08-09”. (Panorama)