Nga Ahmet Kamberi
Kuku-kuku-kukumjau, kukumjau….., kukumjoji kukumjaku drejtues, dhe emisioni filloi…
Ku-ku-ku-ku-ku-kumjau –ku-kumjau; ku-ku-ku..mjau, …mjau, ku-ku…ku-ku-ku…mjau…ku-ku-ku, …mjau,..ku..mja..kukum…ku..mja..ku-ku, or-or-or-or-or-oiiii, ku-ku-ku-kumjau, kkkkku-ku-mja…mja..mja.. kuk..kuk..kuk, ku-kuk..kuk, kkkkkkkkkkkk….kuk..kkk…Mjau…M..U-uuuuuuuuuu….
-Po ç’janë mor gjysh, këta puplashë që ngjajnë si ne, e që kukumjojnë kështu, i tha puplush gugashi i vocërr gjysh Gugashit, kur po dëgjonin këtë emision televiziv me kukumjakë.
-Aaaa! Gugugoi gjysh Gugashi, ata janë puplashët e gjithëditur. Ata të tregojnë rrugën e duhur. Ata të mësojnë. Pa ata pylli ynë do kishte mbetur shurdh, puplashët nuk do të dinin nga t’ia mbanin.
-Po ç’farë thua o gjysh Gugash, unë nuk po marr vesh asgjë.
-Po, more puplush voglushi i gjyshit, si na dashke të marrësh vesh ti. Ti je ende i vogël. Ende shumë i paditur. Çdo fjalë që thonë ata, është flori. Ata na tregojnë se kush është i miri e kush është i keqi, kush duhet qukur e kush duhet ndukur, kuj t’ia prishim folenë e kuj t’ia hamë vezët, kë të dëgjojmë me vëmendje, kë të lëmë e kë të mos e lëmë të kukumjojë, ose të gugugojë as edhe një ku, apo as edhe një gu të vetme. Nuk ka gjë që ata s’e dinë. Lum kush i kupton vërtetë ata, gugugoi gjysh Gugashi, duke zgjatur qafën e duke fryrë gushën.
-Po ç’farë të kuptosh mor gjysh Gugashi, gugugoji me një zë të hollë puplush gugashi i vocërr. Nuk e sheh ti, si ia marrin ata njëri- tjetrit kukumjimin nga sqepi, si kukumjojnë malit e zallit, a thua se ne të tjerët qenkeshim pa tru?
-Aaaa! Gugugoi gjysh Gugashi. Arti i kukumjimit kërkon që të jesh i shkathët, të mos i lësh të tjerët të ta presin kukumjimin, t’i ngatërrosh në kukumjimin e tyre, të kukumjosh me zërin më të lartë se të gjithë të tjerët gjatë kukumjimit të tyre, t’i kukungasësh që të nervozohen, t’i kukuplasësh duke mos i lënë as të hapin sqepin, t’i kukudreqësh a t’i kukupjekësh, t’i kukuku… Këta more puplush voglushi i gjyshit, janë ata që na mësojnë demokracinë e pyllit, ata që na mbushin mendjen se sa të gëdhijë e nesërmja do të kemi më shumë ç’të hamë e më shumë ç’të pimë, po t’u vemë mbrapa atyre, gugugoi gjysh Gugashi.
-Gugugu, gugugu. Aaaa! Kjo lloj demokracie kukuku, kukumjau kukumjakësh, po më mërzitka, gjysh Gugash, gugugoi mendueshëm, puplush gugashi i vocërr. Dhe nuk e priti gugugimin e gjysh Gugashit, i cili sa nisi të hapte sqepin, të gugugonte për të guguguar më hollësisht për kukumjakët që kukumjojnë gjithditurinë e tyre për të mësuar të gjith puplashët, të bardhë e të zinj, laroshë apo kokoshë, zogjngrënës a krimbangrënës, barëngrënës a drithëngrënës, se si kukumjohet më së miri, se cili kukumjim a gugugim është më i miri. Ai desh t’i gugugonte edhe për krrau-krrau puplaziun…Por, puplush Gugashi nuk desh të dëgjonte më as për puplashë kukumjakët e as për krrau-krrau puplaziun, rrahu krahët e tij të vegjël dhe u ngrit në fluturim…